Sot Dita Botërore e Autizmit, specialistët tregojnë vështirësitë e fëmijëve në Kosovë
Sot është Dita Botërore e Autizmit, e cila do të shënohet me aktivitete të ndryshme edhe në Kosovë. Aktivitete këto që kanë për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë rreth probleme të ndryshme që ballafaqeohen fëmijët e prekur nga ky sindrom, por edhe mundësinë e përkrahjes për këtë kategori. Specialistët përveç që tregojnë vështirësitë, apelojnë për sensibilizimin e opinionit publik për përkrahje ndaj fëmijëve autistë dhe integrimin e tyre në shoqëri.
Edhe sivjet Shoqata “Autizmi” në Prishtinë mes tjerash do të organizojë marshin nga ora 11:00 në Sheshin “Zahir Pajziti”, kurse në orën 13:00 do të mbahet një koncert për fëmijë.
Në kuadër të aktiviteteve, nga sot, për tri ditë rresht në këtë shesh do të jetë e vendosur shtëpiza “Krijimi im” , në të cilën shtëpizë do të ketë për shitje punime të ndryshme dore, si dhe kartolina të punuara nga fëmijët me autizëm.
Erza Ramadani, mbikëqyrëse e punës terapeutike në Shoqatën “Autizmi” në Prishtinë i tha Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se paratë nga shitja e këtyre gjësendëve do të shkojnë për nevojat e këtyre fëmijëve.
“Këtë vit kemi filluar edhe me një aktivitet, dhe nga sot për tri ditë me radhë në shesh do të jetë një shtëpizë “Krijimi im” ku aty do të ketë punime dore si, kartolina, stoli etj., të punuara nga disa fëmijë me autizëm në bashkëpunim me terapistet e shoqatës sonë, dhe vullnetarët kryesisht studentë. Këto punime dore do të shiten dhe të hollat të cilat do të mblidhen do të jenë për këta fëmijë”, tregon Ramadani.
Ajo shton se fëmijët me autizëm janë shumë të veçantë, por që njerëzit nuk kanë informata të mjaftueshme lidhur me këtë sindromë.
Për këtë arsye, siç thotë Ramadani gjatë gjithë muajit prill sikurse më parë do të zhvillohen sesione informuese rreth autizmit, si në shkolla, kopshte, Qendra të Mjekësisë Familjare etj.
Ajo pohon se aktivitetet e tiulla kanë ndikuar që prindërit të kërkojnë trajtim për fëmijët e tyre më herët.
“Gjithë këto aktivitet vetëdijësuese të cilat përmenda, por edhe përsosmëria në diagnostifikim, kanë kontribuar që prindërit të kërkojnë trajtim për fëmijët e tyre qysh herët. Kohëve të fundit gjithnjë e më shumë prindërit i sjellin fëmijët e tyre në moshë shumë të hershme, atëherë kur shfaqen shenjat e para, pa pasur nevojë për një diagnozë të saktë apo për të kaluar kohë. Kjo është një gjë shumë pozitive sepse edhe progresi është më i madh kur trajtimi fillon herët”, shpjegon ajo.
Problemi më i madh për këta fëmijë vazhdon të mbetet mospërfshirja në klasë të rregullta nëpër shkola. E ky ndryshim, sipas Ramadanit duhet të bëhet me rritjen e numrit të asistentëve në shkolla, të cilët do të ofrojnë ndihmë për fëmijët me autizëm.
Ka vështirësi të mëdha, mungojnë edhe asistentët
Edhe logopedja, Arta Abdullahu në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, është shprehur se fëmijët me autizëm që vijojnë mësimet përballen me shumë vështirësi.
“Kosova ka mungesë të kuadrove të shkolluar për autizëm. Ne kemi nevojë të madhe, sepse fatkeqësisht numri i fëmijëve me autizëm është duke u rritur. Ka shumë logopedë, defektologë, psikologë, edukator special që merren me trajtimin e fëmijëve me autizëm dhe mundohen të ndjekin trajnime profesionale. Vështirësitë janë të mëdha ku shumica e fëmijëve që vijojnë shkollën kanë nevojë edhe për mbështetje të asistenteve”, tha Abdullahu.
Ajo ka theksuar se fëmijët me autizëm përballen me mungesa nga më themeloret, të cilat në rrethana normale shteti do të duhej të siguronte kushte për ta.
“Disa prindër po detyrohen t’i mbulojnë këto shpenzime vet. E kjo po vazhdon të mbetët sfidë për prindërit. Në Kosovë mungesat janë themelore për fëmijët me autizëm. Trajtimi i këtyre fëmijëve varet nga përkushtimi dhe gjendja financiare e prindërve”, shpjegon Abdullahu.
MAShT, janë rreth 200 nxënës, por kjo shifër duhet të jetë më e lartë
Kurse zyrtari për informim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Valmir Gashi, ka thënë për FaktePlus se për këtë kategori të nxënësve janë siguruar mësues mbështetës dhe asistent, por jo edhe staf të specializuar.
Kjo pasi siç thotë ai, staf tjetër i specializuar nuk parashihet me legjislacion.
Tutje ai thotë se mos diagnostifikimi i fëmijëve ka efekt në arsimin e tyre, pasi që në mungesë të kësaj mund të mos ofrohen shërbimet adekuate arsimore me kohë.
“Ne lidhje me nxënësit me çrregullime të spektrit autistik sipas të dhënave që në kemi, janë rreth 200 nxënës, por kjo shifër duhet të jetë më e lartë… Çështja e diagnostifikimit të fëmijëve në Kosovë nuk bie ne domenin e MAShT, por ka efekt në arsimin e fëmijëve, pasi që në mungesë të diagnozave mund të mos ofrohen shërbime adekuate arsimore të bazuara në nevojat individuale të fëmijëve përfshi edhe ata me çrregullime të spektrit autistik”, potencoi Gashi.
Kurse, për fëmijët me nevoja të veçanta të të gjitha llojeve janë paraparë 86 mësues mbështetës.
Zyrtari për informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Musa Demiri tha se aktualisht në bazë të ligjit fëmijëve të kësaj kategorie ju jepen nga 100 euro.
Demiri tregon se tashmë MPMS-ja është në proces të hartimit të projektligjit, i cili do të trajtojë dhe do të bëjë kategorizimin e personave me nevoja të veçanta, e nga i cili ligj do të përfitojë edhe komuniteti me autizëm.
Fëmijët e prekur nga autizmi, kanë një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit, duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës tre vjeç./FaktePlus