A po e dëmton imazhin e Përfaqësueses akuza ndaj kreut të FFK-së për kërcënim me vdekje
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është në kulmin e saj të suksesit që nga pranimi në UEFA dhe FIFA, më saktësisht që nga ardhja e trajnerit Bernard Challandes, me të cilin Kosova ka zhvilluar deri më tani 12 ndeshje dhe nuk ka asnjë humbje, e ka shënuar 8 fitore dhe 4 barazime. Por, njohësit e futbollit thonë se shqëtësues për imazhin e Përfaqësueses është fakti se kreu i FFK-së, Agim Ademi është në një proces gjyqësor, ku prokuroria po e akuzon se për qëllim të përfitimit material ka kërcënuar për vdekje një person.
Suksesi i Kosovës në Ligën e Kombeve, e cila përfundoi e para në grup dhe arriti te kualifikohej për play-off për Kampionatin Evropian 2020, u pushtua nga shumë medie botërore, duke e cilësuar Kosovën si një përfaqësuese me një potencial të madh dhe një të ardhme te ndritshme, duke pasur parasysh kualitetin e futbollistëve dhe moshën e tyre, si një prej përfaqësueseve më të reja në Evropë.
Por, ajo çfarë është shqetësuese në këtë periudhë të mirë që po kalon Kosova, është fakti se kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi po akuzohet nga Prokuroria për kryerjen e disa veprave penale.
Ai së bashku me Muharrem Ramen, akuzohen për veprat penale të detyrimit dhe ushtrimit të ndikimit.
Këta të dy nga Prokuroria po akuzohen gjithashtu se kanë kërcënuar për vdekje një person me qëllim ndryshimi të statusit të një ngastre toke.
Akuzat e Prokurorisë ndaj Ademit mund të dëmtojnë imazhin e Kosovës
Sa mund të ndikojë ky proces gjyqësor i kreut te Federatës se Futbollit te Kosovës në ecurinë e mirë të përfaqësuese sonë, për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus u prononcua Bylbyl Sokoli një prej trajnerëve me të suksesshëm në Kosovë dhe njohës i mirë i rrethanave, të cilat po ndodhin në përgjithësi rreth futbollit.
“Çdo tensionim në këtë kohë derisa po rrjedh kampionati, derisa përfaqësuesja e Kosovës po luan, me siguri do të ndikojë keq në rrjedhën e këtyre garave dhe këtyre sukseseve në Federatën e Futbollit të Kosovës. Prandaj, mendoj që është koha ne t’i qasemi punës më shumë”, u shpreh Sokoli për FaktePlus.
Edhe klubet kanë akuza për abuzim me financa
Ditë më parë edhe klubet futbollistike, LLapi dhe Feronikeli, e akuzuan kreun e FFK-së, Agim Ademi për aubuzim me mjete financiare të Federatës së Futbollit, dhe për largim nga puna të djalit të Fadil Vokrrit, i cili si duket ishte i padëgjueshmi i tij.
Kjo është diçka e pa pritur kur dihet se Fadil Vokrri ka bërë shumë për futbollin tonë dhe djali i tij të largohet vetëm pse nuk u pajtua me Agin Ademin, i cili ende pa bërë 9 muaj punë u akuzua nga klubet për abuzim me financa.
A do të triumfoj drejtësia apo Agim Ademi mbetet të shihet gjatë procesit gjyqësor. Por, definitivisht Agim Ademi po dëmton imazhin e Federatës së Futbollit, kur dihet që në një situatë të ngjashme u patën dëmtuar në imazh edhe UEFA dhe FIFA pas nisjes së hetimeve ndaj Platinit e Blaterit.
Platini dhe Blatter u detyruan të largohen
Duhet përmendur se në raste të tilla nëpër vendet e Evropës, nëse ndonjë drejtues i institucioneve të sportit ka përballje të tilla me organet e drejtësisë edhe largohen nga postet drejtuese.
Një rast të tillë e kanë pasur edhe presidenti i UEFA-s, Michel Platini dhe presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, të cilët pas akuzave për kryerjen e veprave të ndryshme u detyruan të largohen nga drejtimi i organizatave më të larta të futbollit botëror.
Agim Ademi akuzohet se ka kërcënuar për vdekje një person
Kujtojmë se kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi po përballet me gjyqin me akuzat për veprat penale të detyrimit dhe ushtrimit të ndikimit.
Ademi po akuzohet se së bashku me Muharrem Ramën e kanë kërcënuar për vdekje një person. E gjithë kjo sipas Prokurorisë u bë me qëllim ndryshimi të statusit të një ngastre toke.
Aktakuza përbëhet nga dy pika.
Në pikën një të aktakuzës Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit, në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli, në atë mënyrë që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMW X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.
Tutje në pikën e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit BMW X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”./FaktePlus