Në Kosovë shqetësues numri i madh i armëve ilegale
Nga muaji dhjetor i vitit të kaluar ka filluar aplikimi për legalizimin e armëve ilegale, të cilat i posedojnë qytetarët e Republikës së Kosovës. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme (MPB), i cili është edhe Koordinator Nacional për Armë të Vogla dhe të Lehta, Izmi Zeka, ka thënë se interesi shtetëror është siguria e përgjithshme e qytetarëve të vendit.
Sipas tij, ky është një standard evropian që praktikohet për çështjen e legalizimit të armëve.
“Së pari është interes shtetëror çështja e sigurisë së përgjithshme të qytetarëve dhe në këtë komparacion ekziston edhe ligji për legalizimin e armëve që ka kaluar në parlamentin e Kosovës në vitin 2017. Ky është një standard edhe evropian që praktikohet për çështjen e legalizimit të armëve”, ka thënë ai.
Zeka tregoi se duke u bazuar në disa statistika, në Kosovë janë mbi 200 mijë armë ilegale.
“Vrasjet dhe aktet kriminale që ndodhin, zakonisht ndodhin prej armëve ilegale. Jemi munduar si MPB, që të krijojmë një mundësi që të gjithë ata qytetarë që disponojnë armë ilegale t’i legalizojnë dhe në një farë forme të krijohet dhe një databazë dhe të dihet armët se ku janë. Këtë standard e kanë bërë edhe shtetet e Ballkanit edhe ato të Evropës, etj”, tha Zeka për Telegrafin.
Ai theksoi se prej 17 dhjetorit të vitit 2018, ka filluar të nxirret vendimi për legalizimin e armëve, kurse deri tash janë dërguar mbi 500 aplikacione. /FaktePlus