Qeveria planifikon së shpejti të shlyej gjithë borxhin ndaj Policisë së Kosovës
“Kërkoj që të ndërmerren veprimet e nevojshme që zyrtarët policorë të kompensohen me pagesë shtesë për orët shtesë. Kjo kap vlerën 2.6 milionë euro. Kjo është më se e nevojshme, që shteti mos t’i mbetet borxh policit të vet. Një shtet që s’mund ta paguajë policin, ma mirë le ta mbyllë gojën. Ne e dimë që kjo është shumë e madhe, mirëpo është e nevojshme”, ishte premtimi i të parit të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj që dha për kompensimin e orëve shtesë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Por, kjo ndarje e buxhetit prej 2, 600.000.00 euro nga Qeveria e Kosovës për pagesë të punës jashtë orarit për policët e Kosovës nuk ka qenë e mjaftueshme.
Ndonëse 66.25 për qind e orëve janë kompensuar me këtë shumë të buxhetit, policët e Kosovës janë në pritje për kompensimin e orëve tjera në mënyrë të plotë nga Qeveria e Kosovës.
Kështu kanë deklaruar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus zyrtarët për informim nga Policia e Kosovës.
“Sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 07/68 dhe 09.10.2018 janë ndarë mjete për pagesë të punës jashtë orarit në vlerë prej 2,600,000.00€, pagesa e orëve është bërë në bazë të mjeteve financiare që i kemi pasur në dispozicion në mënyrë proporcionale. Pagesa e orëve është bërë në bazë të mjeteve financiare që i kemi pasur në dispozicion në mënyrë proporcionale – 66.25%.”, thonë nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.
Se ka pasur vonesa dhe nuk është bërë kompensimi i të gjithë orëve shtesë në të cilat janë angazhuar policët pas orarit të punës, e pohon edhe kryesindikalisti i Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli.
Ai për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus thotë se orët shtesë janë kompensuar vetëm për vitin e kaluar, kurse për këtë vit nga Qeveria kanë pranuar vetëm premtim se do të paguhen këto orë.
“Orët janë kompensuar vetëm për vitin e kaluar. Për këtë vit nuk kanë filluar ende, na kanë premtu se do të paguhen orët shtesë. Mirëpo, këtë vit nuk kanë filluar”, ka deklaruar Tasholli.
I pyetur se ku qëndron problemi i moskompensimit të orëve shtesë në mënyrë të plotë, Tasholli thotë se pengesa nuk qëndron tek grumbullimi i orëve shtesë, por tek problemet administrative të Qeverisë.
“Nuk besoj që ka orë të grumbulluara shumë, por problem është që Qeveria ka disa probleme administrative dhe na kanë thënë që do të kompensohen këto. Nuk besoj që janë shumë, sepse policët duhet t’i marrin pagat për orët që kanë punuar jashtë orarit. Kështu së paku na kanë thënë”, tha Tasholli.
Tutje, ai thotë se policët të cilët kanë qenë më së shumti të ngarkuar me orë shtesë pas orarit të punës, janë zyrtarët policorë për mbrojtje të delegacioneve të ndryshme.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus për këtë çështje ka kontaktuar me këshilltarin politik nga Qeveria e Kosovës, Haki Shatri.
Ai ka deklaruar se kompensimi orëve shtesë për policët është obligim i Qeverisë dhe në këtë mënyrë ky institucion nuk do t’i mbetët borxh asnjë pjesëtari të policisë.
Kurse, për vonesat e pagesës për këto orë, Shatri ndër të tjera lë fajin tek vonesat që janë bërë në kalimin e projektligjit për buxhetin e vitit 2019.
“Ato i kemi obligim. Është marr vendim për me i pagu, deri tash sa di unë deri në fillim të marsit nuk ka qenë i funskionalizuar buxheti i 2019, për shkak se Kuvendi është vonuar me procedurat. Është punuar në dy muajt e parë me mesataren e vitit të kaluar që nënkupton nuk mund të paguhet financiarisht vetëm ndonjë obligim i domosdoshëm. Kështu që, janë obligime të krijuara”, ka thënë Shatri.
Por, përveç kësaj Shatri për vonesat në kompensimin e orëve me para dhe jo me pushim siç ka qenë praktika e mëhershme, e konsideron fajtor edhe qeverinë paraprake.
“Është e vërtetë që qeveria paraprake iu ka mbetur borxh policëve për punët shtesë jashtë orarit dhe kurrë nuk i ka paguar. Neve na ka mbetur borxhi dhe qeveria jonë kur ka ardhur në pushtet, e ka gjet me një borxh të akumuluar të madh”, tha Shatri.
Ai ka shprehur optimizmin se tani së shpejti kompensimi i të gjitha orëve do të bëhet pa asnjë pengesë.
Ndryshe, kompensimi i orëve me pushim për Policinë e Kosovë nuk është vlerësuar si i drejtë nga ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi.
Ai pati thënë se orët shtesë duhet të paguhen dhe do të paguhen me para, sepse nevoja që policët të jenë në detyrë është e shpeshtë./FaktePlus