Përse shoqëria shqiptare postkomuniste nuk kalon në demokraci?
(Përsiatje)
Për ta njohur një njeri, duhet t’ia japim lirinë ose ta lëmë të lirë. Pastaj ai vetë “tregon” kush është.
Kjo vlen edhe për një popull.
Robi fsheh qenësinë e vet. Kurrë nuk mund ta dimë çfarë është një rob. Po as ai nuk arrin ta njohë veten e tij; ashtu siç është i robëruar, nuk arrin ta njohë vetveten, sepse krejt qenia e tij është e reduktuar në mbijetesë.
Ne shqiptarët nuk e kemi tejkaluar gjendjen fisnore. Qenia jonë fisnore në kohën e komunizmit ishte e pushtuar nga një ideologji që ishte jofisnore, prandaj edhe ajo kohë me të drejtë konsiderohet pushtim. Po ky pushtim, nga jashtë, nuk arriti ta tejkalojë gjendjen fisnore të popullit shqiptar. Prandaj, ndër të tjera, edhe urrejtja e madhe ndaj atij pushtimi. Dështimi i ideologjisë komuniste është edhe kthimi në gjendjen fisnore.
Fistari nuk e do shtetin, ka qëndrim armiqësor ndaj shtetit, deri në urrejtje. Edhe kur është në krye të shtetit, Fistarinuk ka besim te shteti. Prandaj edhe hasmëria e tij e madhe ndaj shtetit. Besimi i tij është te fisi, kryesisht te familja si qelizë e fisit, prandaj edhe “dashuria” e tij e madhe ndaj familjes.
Kthimi në fis e bën të fort, prandaj edhe krejt forcat e tij përqendrohet në fis.
Mentaliteti fisnor është mentalitetit paramesjetar.
Prandaj simbol i fistarit është kulla, ndërsa simbol i mesjetës kështjella.
Fistari, zakonisht krahasohet me shtazët apo shpezët e egra, sidomos me ato të fuqishmet: luan, ujk, apo edhe shqiponjë, skifter etj. Po edhe me shtazët e buta, si dash (fuqia e dashit qëndron në brirë).
Krahasimi që i bëri vetes me macen (“Unë jam si macja…”), njëri nga prijësit tanë politikë më të lartë, pas sa shekujsh civilizim, e tregon këtë më së miri.
Ligjërimi i fistarit kryesisht është i ndarë në dysinë: ne-ju, ose ne këndej (malit, lumit, kodrës etj.), ju andej (malit, lumit, kodrës etj.).
Ndërsa intelektuali i kësaj shoqërie fisnore, ashtu sikur edhe prijësit politikë të saj që janë fisnorë, është një lloj postmodernisti fisnor. Ky intelektual ka frikë nga shoqëria e hapur, prandaj edhe kur ligjëron për postmodernizmin, është i rrethuar me njerëz të fisit të vet.