Prokuroria po heton si u “shëruan” 140 policët pasi morën mbi 4.5 milionë euro nga shteti
Për 12 vjet me radhë 140 pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kanë edhe pozita me rëndësi në këtë institucion, përveç pagave si punonjës policie kanë marrë shtesë para nga buxheti i shtetit, duke u paraqitur si invalid të luftës, e të sëmurë mental. Nëse edhe minimalisht këta policë kanë marrë nga 225 euro në muaj, atëherë del se shteti për 12 vjet secilit prej tyre i ka dhënë nga 32400 euro, e të gjithëve së bashku së paku 4.536.000,00 euro.
Për 12 vjet me radhë 140 pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kanë edhe pozita me rëndësi në këtë institucion, përveç pagave si punonjës policie kanë marrë shtesë mbi 4.5 milionë euro para nga buxheti i shtetit, duke u paraqitur si invalid të luftës, e të sëmurë mental.
Ky skandal i policëve doli sheshit vitin e kaluar derisa po kryheshin hetime për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së.
Atëherë ish- prokurori Elez Blakaj kishte hasur në dokumente të një numri të konsideruar të policëve të cilët me dokumentacion mjekësor (gjatë aplikimit për veteran – invalid të luftës) është vërejtur se kanë pasur shkallë të ndryshme të invaliditetit.
Kështu sipas një llogaritje të thjeshtë del se 140 policët për 12 vjet radhazi, duke paraqitur dokumente se janë invalid e të sëmurë mental, i kanë marrë shtetit miliona euro.
Bazuar në ligjet që janë në fuqi, personat që kanë shkallën e invaliditetit prej së paku 20 për qind, marrin një pagesë nga shteti prej 225 euro në muaj. Ndërsa për shkallën më të lartë të invaliditetit prej 81 për qind, ligji parasheh pagesë 450 euro për personin, si dhe 225 euro për një përcjellës të tij.
Pra nëse edhe minimalisht 140 policët kanë marrë nga 225 euro në muaj, atëherë del se shteti për 12 vjet secilit prej tyre i ka dhënë nga 32400 euro, e të gjithëve së bashku së paku 4.536.000,00 euro.
Por duket se hetimet që nisën vitin e kaluar prej Prokurorisë e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë ndikuar që zyrtarët policorë që për afro 12 vjet kishin përfituar para si të sëmurë mentalë, tani “vullnetarisht” të heqin dorë nga ky përfitim financiar.
Mirëpo, kjo heqje dorë nga paratë e pensionit mund mos t’i amnistoj policët nga hetimet. Prokuroria Themelore në Prishtinë po vazhdon hetimet ndaj tyre dhe tani do të hetojë edhe si u bë e mundur që personat të fjalë u “shëruan”.
Zëvendësprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha ka thënë për FaktePlus se prokuroria tani është duke shqyrtuar edhe “shërimin” e policëve dhe për këtë është konsultuar edhe me disa psikiatër për këtë rast.
Ai thotë se ka dyshime se policët kundërligjshëm kanë mundur të sigurojnë dëshmi se janë të prekur nga traumat e luftës.
“Jemi në vazhdimësi duke e shqyrtuar rastin. Kompetent për këtë rast është edhe Inspektorati Policor i Kosovës, por që nuk ka ende diçka definitive se çfarë do të bëhet me ta sepse edhe policia është në dilemë se çfarë të bëhet. Ne jemi konsultuar me disa mjek të psikiatrisë se pas luftës çdo person që është lajmëruar tek ta ka mundur të marrë një letër me shkrim që është i prekur traumatikisht nga lufta. Dhe me këtë letër ata kanë mundur të përfitojnë ndonjë pension të caktuar”, ka thënë Berisha për FaktePlus.
Ndërkohë Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) nuk ka treguar nëse ka hapur sërish rast dhe është duke i hetuar 140 policët për mashtrim, pasi ata në një formë tani po deklarohen të rikuperuar nga dëmet fizike e psikike që ua ka sjellë lufta dhe po heqin dorë nga pensionet.
Kurse prokurori Ibrahim Berisha thotë se krahas hetimeve janë në pritje të një veprimi edhe nga IPK-ja dhe në konsultim edhe me kreun e Policisë, pastaj do të marrin një vendim lidhur me policët në fjalë./FaktePlus