Nga prilli pritet të fillojnë pagesat për mësimdhënësit e viteve 90-ta
Deputetët e Kuvendit të Kosovës në ditën e fundit të muajit shkurt e miratuan në lexim të dytë Ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999. Kështu punonjësit e arsimit për ato vite do të paguhen për punën e tyre në vlerën nga 19 deri në 95 euro në muaj.
Që nga viti 2013 mësimdhënësit e viteve të 90-ta, pritën që Kuvendi i Kosovës ta miratojë Ligjin, i cili do t’ua garantonte atyre konpensimin për kontributin e dhënë gjatë kësaj kohe.
Kështu pas miratimit nga Kuvendi, Ligji tashmë është në zyrën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili sapo ta dekretojë dhe të publikohet në gazetën zyrtare, punonjësit pritet t’i marrin benificionet.
Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) nuk kanë ofruar të dhëna se sa është numri i mësimdhënësve që do të përfitojnë nga ky ligj dhe sa do jetë kostoja për vitin e parë.
Kurse nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) thonë se detajet do të dihet pasi të fillojë implementimi i ligjit.
“Ende nuk ka hyrë në fuqi Ligji për mësimdhënësit e viteve të 1990. Posa të hyjë në fuqi dhe të fillojë implementimi i këtij ligji do të njoftoheni për interesimin tuaj”, ka thënë për FaktePlus zëdhënësi i MPMS-së, Musa Demiri.
Kurse kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari ka dhënë detajet për pagesat që do të përfitojnë punonjësit e arsimit për vitit 1990-1999.
Ai tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se pas shumë diskutimeve në fund është vendosur që për mësimdhënësit e asaj kohe të bëhen pagesa në bazë të viteve të punës.
“Të punësuarit në vitet 90-ta janë ndarë në kategori dhe në bazë të viteve sa kanë punuar atëherë do të kenë përqindjen e caktuar nga paga bazë në arsimin fillor, që do t’u shtohet në pensionin e tyre, pra pensionin plus shtesa në emër të punës për gjithë vitet e 90-ta”, shpjegon Jashari.
Siç sqaron Jashari, mësimdhënësit që punuan 9 vite u shtohet vlera 17.28 për qind, kurse ata që punuan 8 vite do të kenë 15.56 për qind të rritjes së pagës dhe kështu me radhë, duke rënë në 3.46 për qind për ata që punuan vetëm një vit.
“Atyre që kanë punuar të 9 vitet, pra nga viti 1990 deri më 1999 u shtohet vlera 17.28% e pagës bazë, që për momentin do të jetë 95 euro plus pensioni i tyre. Pastaj kjo vlerë shkon duke u zvogëluar gradualisht sipas viteve, p.sh. 8 vite, 15.56 % e pagës bazë plus pensioni e kështu me radhë e deri të ai që ka punuar vetëm 1 vit në vitet e 90-ta që do të marrë 3.46 % apo 19 euro plus në pensionin e tij”, ka treguar Jashari.
Nga SBAShK-u sqarohet se pas dekretimit që këto ditë pritet ta bëjë presidenti, ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, që rrjedhimisht pagesat do të fillojnë të bëhen gjatë muajit prill të këtij viti.
Sipas të dhënave të publikuara më parë janë diku rreth 10 mijë punëtorë të arsimit shqip të Republikës së Kosovës, të cilët kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë viteve shkollore 1990-1999.
Mësimi në Kosovë nga viti 1990 deri më 1999 është zhvilluar nëpër shtëpitë shkolla, duke kundërshtuar kështu nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Kostoja e zbatimit të Ligjit në fjalë, sipas një llogaritje për vitin 2019, do të jetë diku 6 milionë euro, kurse për vitin 2020 rreth 7 milionë euro./FaktePlus