“Janë të pangopur, të mbrapshtë dhe të rrezikshëm”
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar lidhur me punësimet e fundit që po bëhen në Telekomin e Kosovës.
Në këtë rast, Abdixhiku ka shtruar pyetjen se çka pritët prej qeveritarëve aktual, duke vlerësuar se ata janë të pangopur, të mbrapshtë dhe të rrezikshëm.
“Këta pasurinë e Kosovës e shohin si plaçkë. Si pronë të tyre, si shpërblim. Për vetëm 1 vit e gjysmë qeverisje, kanë kapur me pangopësi secilën mundësi. Nga gjysmë milion eurot e pavarësisë, tek 53 milionë eurot e Bechtelit. Nga rritja e pagave për vete tek vërshimet punësuese nëpër asete”, ka thënë mes tjerash deputeti i LDK-së.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
Çka pritët prej tyre?
Janë të pangopur, të mbrapshtë dhe të rrezikshëm.
– 7 deputetë të pushtetit i kanë punësuar familjarët e tyre në Telekom. Thonë se janë më të zotit; s’ka si ta në Kosovë. Njëri madje tha se po i bënte nder Kosovës. Në Parlament, të njëjtit ndërsa, na mbajnë ligjerime moralizuese e vajtuese mbi devalvimin e PTK-së. Pyesin pse po falimenton?
– 234 familjarë e militantë partiak janë punësuar në Telekomin e Kosovës vetëm gjatë kësaj qeverisje. Proporcionalisht kanë punësuar më shumë se Telekomi Gjerman. Është hera e dytë që ia kalojmë Gjermanisë. E para kishte të bënte me numrin e ministrive në Qeveri.
Këta pasurinë e Kosovës e shohin si plaçkë. Si pronë të tyre, si shpërblim. Për vetëm 1 vit e gjysmë qeverisje, kanë kapur me pangopësi secilën mundësi. Nga gjysmë milion eurot e pavarësisë, tek 53 milionë eurot e Bechtelit. Nga rritja e pagave për vete tek vërshimet punësuese nëpër asete.
Por, “me rëndësi taksa”.
Me të jemi 100% shtet.