KMDLNj i përgjigjet avokatit të arrestuar për rastin e Drenasit
Gazment Halilaj, avokati i arrestuar për rastin e abuzimit seksual me një nxënëse nga Drenasi, ka bërë kërkesë që të vizitohet nga përfaqësuesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj).
Thirrjes së avokatit Halilaj, i është përgjigjur ky Këshill. Drejtori ekzekutiv i KMDLNj-së, Behxhet Shala i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se ka pranuar kërkesën e avokatit dhe se i njëjti do të vizitohet gjatë ditës së nesërme.
“Nesër do të shkojmë të vizitojmë këtë rast. E kemi pranuar kërkesën e tij, problemi është se ai e ka marrë seriozisht rastin dhe po e përjeton rëndë këtë ngjarje”, është shprehur Shala.
Ai tutje ka theksuar se KMDLNj ka mandatin që të përkujdeset për të burgosurit dhe të shikojë nëse janë prekur të drejtat e tyre dhe jo të ndërhyjë në punët e drejtësisë.
Shala sqaron se gjatë vizitës avokati i arrestuar e që po mbahet në burg do të shikohet se si e ka gjendjen shëndetësore si dhe për trajtimin dhe kushtet e burgut ku po mbahet ai.
“Ne nuk mundemi që urgjentisht të vizitojmë të gjithë të burgusorit, por që detyra e jonë është që të interesohemi për gjendjen e tij. A e ka nxehtë, a është me shëndet mirë, dhe të shikojmë se mos po i shkelen të drejtat e tij, sepse më shumë nuk mund të përzihemi në punët e drejtësisë”, është shprehur Shala.
Në letrën e tij, avokati Halilaj pretendon se arrestimi dhe mbajtja në burg e tij është bërë si shenjë hakmarrje nga prokurori, për të cilin kishte bërë kallëzim penal vetëm një ditë para se të arrestohej, shkruan FaktePlus
Kujtojmë Halilaj është arrestuar me 27 shkurt, pasi autoritetet dyshojnë se ai ka kryer disa vepra penale që lidhen me rastin e të miturës nga Drenasi.
Ndryshe avokati Gazment Halilaj, aktualisht është duke u mbajtur qendrën e paraburgimit në Lipjan./FaktePlus