Aktorët sërish paralajmërojnë grevë
Punonjësit e institucioneve të kulturës dhe atyre të trashëgimisë kulturore janë duke pritur që nga shkurti për rritje të pagave. Pavarësisht kësaj Ministria e Kulturës ende nuk ka një afat se kur do të përmbushet premtimi i ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi.
Fakti që Qeveria ka vendosur që këtë vit të mos ketë rishikim të buxhetit, e ka vështirësuar këtë çështje. Por të paktën aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës që nga shtatori mosrritjes së pagave do t’i kundërpërgjigjen me grevë.
Një grup punues ka plotësuar Rregulloren për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore në mënyrë që t’i hapet rrugë rritjes së pagave ,shkruan sot Koha Ditore.
Por këtij dokumenti i ka munguar vetëm një shpjegim. Ai se ku do të sigurohen mjetet për rritje të pagave për 228 punonjës. Shkaku i kësaj mungese Projektrregullorja i është kthyer prapa MKRS-së nga Qeveria e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar vetë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi. Problem shtesë në këtë rast është bërë edhe vendimi i Qeverisë për mosrishikim të buxhetit për këtë vit.