Shkodra e shekullit XVII dhe shqipja që s’i ngjan asnjë gjuhe tjetër
Kohëve të fundit po rritet interesimi për veprën kapitale të udhëpërshkruesit osman Evlija Çelebiu (1611-1683) e njohur me titullin “Siyahetname” ose “Libri i udhëtimeve” , i cili shëtiti nëpër Evropë e në vendet e Lindjes nja 40 vjet derisa arriti në Kajro më 1672.
Atje shëtiti nëpër Egjipt, Sudan e Etiopi e u kthye në Kajro duke lënë dhjetë vëllime që nuk ia doli t’i kompletojë e t’i rendisë siç duhet deri në vdekjen e tij më 1683. Ç’është e vërteta, vetëm vëllimin e parë që ia kushtoi Stambollit dhe vëllimin e dhjetë (që ia kushtoj Kajros) arriti t’i kompletojë siç duhet, duke i ndarë në kaptina, kurse të tjerat mbetën me hapësira të bardha e pa renditje me kaptina, shkruan Koha Ditore.
Sidoqoftë, ato vëllime në gjuhën osmane mbetën në Kajro pa u diktuar deri më 1740, kur u bartën në Stamboll, e ku aty-këtu u kopjuan me ndonjë shtesë. Vepra “Siyhatname” përnjëherë mori hov në Evropë, kur orientalisti i njohur austriak J. V. Hammer gjeti katër vëllime duke menduar se ato përbejnë “Siyahetnamën”. Hammer e kuptoi menjëherë rëndësinë e kësaj vepre të madhe, andaj filloi ta përkthejë në gjermanisht e të botojë fragmente prej saj qysh prej vitit 1814, kurse i botoi komplet në anglisht në dy vëllime, më 1834 e më 1850. /FaktePlus