Intervistë/ Isufi: AAK-ja e gatshme për zgjedhje, nuk i frikësohet PDK-së
Zyrtarët e partisë së Ramush Haradinajt, janë të vendosur ta mbështesin shefin e tyre për mbajtjen në fuqi të taksës ndaj Serbisë pavarësisht kërkesave të ShBA-së për pezullimin e saj dhe vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Madje, për nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherit shef i Grupit Parlamentar të kësaj partie në Kuvend, Ahmet Isufi, më mirë është të rrëzohet Qeveria, por të mbetet taksa.
Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, shefi i deputetëve të AAK-së ka theksuar se taksa nuk është vënë për miqtë e Kosovës, por ndaj një shteti që me paratë e taksapaguesve kosovarë po lobon kundër shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Isufi thekson se tashmë është e qartë se taksa ka shkaktuar dallime edhe tek partnerët e koalicionit qeverisës, porse sipas tij, asnjë nga partitë nuk janë të gatshme të shkojnë në zgjedhje.
Në qoftë se do të ishin të gatshme ndonjë nga partitë, Isufi thotë se do t’i bënin 61 vota dhe do ta rrëzonin Qeverinë.
Ai thekson se AAK-ja nuk frikësohet nga PDK-ja se do ta rrëzojë Qeverinë, ndërsa thotë se më mirë është të shkojë Qeveria se sa të hiqet taksa.
Teksa flet për idenë e presidentit të Kosovës për korrigjimin e kufirit me Serbinë, Ahmeti ka thënë se në asnjë variant kjo nuk duhet të ndodhë para se Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij, së pari duhet të ndodhë njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, e pastaj mund të bëhet korrigjimi aty ku ka vend për korrigjim.
FaktePlus: Z. Isufi kaluan mbi tre muaj nga koha e vendosjes së taksës ndaj Serbisë, e kërkesat për pezullimin e saj po vazhdojnë… Cilat janë kushtet që kjo taksë të pezullohet apo hiqet tërësisht?
Isufi: Ne kemi thënë se taksa i është vënë Serbisë për shkak të politikës së saj të ndërhyrjes për destabilizim në Kosovë, duke u angazhuar edhe në diplomaci për tërheqjen e njohjeve, për mos inkuadrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe kjo ka bërë që t’i vihet tarifa si një mënyrë e presionit ndaj Serbisë që ta njoh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, si një realitet i krijuar. Taksa nuk ka të bëjë as me dialogun, nuk ka të bëjë as me BE-në, as me ShBA-në, por është një masë e ndërmarrë ndaj Serbisë dhe kështu duhet kuptuar.
Ky është një vendim sovran i joni si shtet dhe normalisht që me këtë ne e detyrojmë Serbinë që të tërhiqet nga pozicioni që ka kundër Kosovës, dhe është vendim kundër Rusisë, e cila po dëshiron që të ketë ndikim në Ballkan.
Ky veprim i joni mendoj që është veprim pro amerikan, pro evropian, pro miqve tanë. Taksa nuk hiqet për arsyer se kemi të bëjmë me të drejtën tonë që mos të lejojmë që përmes tregut tonë të Kosovës, Serbia me të njëjtat para të qytetarëve tanë të vihet në shërbim kundër Kosovës. Prandaj, nuk duam t’i bëjmë shërbim Serbisë që të lobojë kundër Kosovës.
FaktePlus: Ju po thoni që taksa nuk duhet të lidhet me dialogun, megjithatë, heqja ose pezullimi i taksës po shihet si çelës i vazhdimit të dialogut?
Isufi: Kur ka bërë Serbia veprime të njëanshme, dialogu nuk është ndalur nga ana e Kosovës. Ka pasur raste edhe në të kaluarën, por Kosova nuk e ka penguar dialogun, Kosova ka qenë shumë lojale, madje deri edhe në dëm të interesave të veta me marrëveshje që nuk po i zbaton Serbia. Derisa Serbia nuk e kupton që Kosova është një realitet që duhet pranuar, që duhet ta njoh Kosovën dhe nëse kemi një propozim që do të ishte me njohje reciproke dhe kjo do ta evitonte menjëherë taksën.
FaktePlus: Taksa ka shkaktuar edhe një përplasje mes krerëve të shtetit, presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj. Cilat janë raportet mes këtyre dyve?
Isufi: Çështja e presidentit dhe partive tjera politike qoftë pozitës, qoftë opozitës ka të bëjë më shumë me idenë e tij për korrigjim të kufijve, për ndërrim të territoreve, për formula të tilla që janë anti kushtetuese dhe njëkohësisht mund të sjellin situata të cilat mund ta qojnë Kosovën drejt një konfrontimi për shkak se kufijtë në Ballkan janë të definuar dhe çdo tentim për lëvizje të tyre sjellin tragjedi në Ballkan. Prandaj, nuk jemi që të ketë ndërrim kufijsh para se Serbia ta njoh Kosovën. Nëse ka çështje të hapura pastaj për korrigjim, ato mund të vijnë pas njohjes reciproke, por jo para se të njihen ndërsjellë. Dhe, ne konsiderojmë se kjo mënyrë e sjelljes së idesë është rrezik jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin.
FaktePlus: Megjithatë edhe vet bashkësia ndërkombëtare nuk po flet me një zë për këtë çështje, disa janë pro idesë së presidentit, disa kundër. Do të thotë ka shtete që e përkrahin, por edhe që janë kundër?
Isufi: Po, vërehet që ka një ndryshim të pozicioneve të shteteve të ndryshme sa i përket epilogut përfundimtar që thonë se nëse ka një marrëveshje të pajtueshme për dy palët obliguese ligjore, atëherë mund të ketë një përfundim të tillë që një marrëveshje e përbashkët të jetë me njohje reciproke. Ka shtete që thonë decidivisht se kufijtë nuk duhet të preken. Duhet të ketë njohje, do të thotë përfundim të dialogut me njohje, pa ndryshim të kufijve. Dhe kjo pastaj e ka bërë edhe shumë më të diskutueshme temën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ne konsiderojmë se dy shtetet duhet të njihen mes vete, pastaj për çështje të hapur që mund të jenë të diskutueshme mes dy shteteve mund të jenë pas njohjes. Por, para se të bëhet njohja nuk duhet të ketë asnjë veprim që mund të ndërlikojë procesin në vend se ta bëjë normalizimin e raporteve mes dy shteteve.
FaktePlus: Taksa ka përplasur edhe partnerët e koalicionit, cilat janë raportet aktuale dhe a ka qëndrueshmëri koalicioni?
Isufi: Është e vërtetë që ka nuanca të mendimeve rreth taksës, por që koalicioni nuk është i formuar për një temë të tillë, është i formuar në parime, një bashkëqeverisje mes partive politike për temat e përgjithshme të Kosovës dhe një partneritet të mirë. Qeveria është duke funksionuar mirë, por dallimet ekzistojnë mes partive politike, sepse për atë edhe ekzistojnë si parti të ndara. Ne konsiderojmë që është gabim që të bëhet tërheqja apo pezullimi, për shkak se çdo tërheqje prapa e dobëson pozicionin e Kosovës në raport me Serbinë. Prandaj jemi që taksa të mbetet, të vazhdojë edhe për shkak të dobisë së qytetarëve të Kosovës, edhe për shkak të prodhuesve edhe për shkak se shteti i Kosovës ka të drejtë të marrë vendime sovrane ashtu siç marrin edhe shumë shtete tjera ndaj shteteve që mund t’i pengojnë në interesat e tyre nacionale. Kemi ShBA-në që i ka vu sanksione Kinës, Rusisë, Iranit, plotë shteteve kur nuk janë përputhur me interesat e tyre. Por, spektri politik në Kosovës është dashur që të mos ndryshojë qëndrim, përkundrazi është dashur të jetë unik në këtë temë. Po të kishin qenë unik jam i bindur se do të kishim pasur një ofertë për zgjidhje të çështjeve të kontestueshme mes Kosovës dhe Serbisë.
FaktePlus: Këto dallime në qëndrime të partnerëve të koalicionit për taksën, a do ta lëkundin koalicionin qeverisës dhe të shkohet në zgjedhje?
Isufi: Deri tani kemi një funksionim të mirë të koalicionit. Më vonë do të shohim veprimet brenda koalicionit. Për neve është me rëndësi që shteti të vazhdojë të funksionoj me këtë Qeveri, sepse qeveria Haradinaj ka treguar një dinamikë krejt ndryshe, një kulturë të qeverisjes krejt ndryshe dhe po ashtu ka marrë vendime të fuqishme të cilat e kanë bërë që të ndjehet shteti i Kosovës më i fuqishëm. E kam fjalën për ushtrinë, për statutin e Trepçës, për taksën, për vendimet dhe ligjet që janë sjellë në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë. Ka ligje që nuk janë aprovuar për njëzet vjet, shembull Ligji mbi pagat, për pagat e arsimtarëve të viteve 90-ta, Ligji për Prishtinën, i cili nuk është miratuar edhe pse ka qenë tremë diskutimi në Kuvend. Vendimi mbi Pallatin e Rinisë, është vendimi për Ligjin për Obiliqin, shpronësimin e tokave në Shipitullë dhe Hade, për të pasur energji të mjaftueshme, krejt këto veprime e shumë tjera janë vendime të kësaj qeverie që e bënë se kjo Qeveri duhet të vazhdojë mandatin për t’i nxjerrë krejt këto probleme që i ka pasur Kosova e që janë mbajtur në status- quo.
Çka është me e rëndësishmja temat e brendshme të Kosovës nuk do të jenë tema të trajtimit në dialog, që dallon nga e kaluara që janë bërë dëme, deri te fusnota që i është vënë Kosovës pa ia pasur borxh askujt, për ta zbehur pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk do të ndodhë më.
FaktePlus: A po shihni ndonjë sinjal nga partneri juaj i koalicionit PDK për rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje dhe a besoni se do të rrëzohet kjo Qeveri për shkak të taksës?
Isufi: Në Kosovë asgjë nuk është e pamundur, sepse kemi edhe procese në të kaluarën që janë ngatërruar nganjëherë, ka pasur edhe rënie të qeverive, por që ne i kemi argumentet pse duhet të vazhdojë punën kjo Qeveri. Po të jenë të gatshëm të tjerët nuk na pyesin fare, i bëjnë 61 vota e qojnë vendin në zgjedhje. Ne jemi të përgatitur për të gjitha versionet e mundshme, por nuk heqim dorë nga e drejta jonë për të marrë vendime në të mirë të vendit tonë.
Më mirë është të shkoj Qeveria se sa të hiqet taksa. Për shkak se taksa i është vënë një shteti që po e pengon Kosovën, e më mirë është Kosova të mos pengohet nga ana e Serbisë, përkundrazi të fitojnë Kosova dhe qytetarët e Kosovës, ndërsa qeveritë shkojnë e vijnë, por interesat e vendit mbesin në mbrojtje të atyre që marrin përgjegjësinë.
FaktePlus: Duke qenë se është folur shumë kohëve të fundit, nëse mbahen zgjedhjet brenda pak muajve, a keni menduar për ndonjë koalicion parazgjedhor se me kë do të shkonit?
Isufi: AAK-ja që nga fillimi ka pasur një qasje shumë konstruktive, edhe kur ka qenë në opozitë, edhe kur ka qenë në pozitë. Dhe me partnerët në çfarëdo relacioni ne kemi mbajtur kontakte dhe jemi munduar që interesin e vendit dhe shtetit ta kemi para se ta kemi interesin e partisë. Ju e dini edhe nga e kaluara që AAK-ja ka thyer tabu sa i përket koalicioneve, ka bërë kulturë politike të ofrimit të interesit të vendit në mënyrën e lidhjes së koalicioneve, e bënë edhe me tutje. Tani për tani nuk jemi duke menduar për shkak se jemi në Qeveri duke udhëhequr mirë këtë Qeveri prandaj nuk kemi ndonjë komunikim në këtë drejtim.
FaktePlus: A keni vija të kuqe për ndonjë parti?
Isufi: Nuk kemi rezerva ndaj asnjë partie politike sa i përket lidhjes së koalicioneve, për shkak se e dimë që shteti duhet të funksionoj normalisht, duhet të lidhen koalicionet në bazë të interesit të qytetarëve, mundësisht sa më të mira e të qëndrueshme, por jo për interesa të ngushta që e dobësojnë nivelin e udhëheqjes së Kosovës. Normal koalicionet kur bëhen, kanë edhe kompromiset, por nuk kemi vija të kuqe ndaj ndonjë partie politike.
FaktePlus: Një pyetje jashtë këtyre temave, por që publikut i intereson të marrë një përgjigje. Kujt i tha kryeministri “ma qenef mashkull nuk kam pa”?
Isufi: Ka pasur diskutime rreth kësaj, por unë ende nuk e di saktë për kë ka qenë fjala, sepse në momentin që ka thënë atë fjalë Haradinaj nuk kam qenë aty, kam qenë tjetër kund. Prandaj nuk mund ta komentoj, sepse nuk e di./Intervistoi:B. Syla -FaktePlus