Për tre muaj stafi i Kadri Veselit shpenzoi mbi 24 mijë euro për udhëtime zyrtare
Gjatë tre muajve të verës së vitit 2018, më saktësisht në korrik, gusht dhe shtator, stafi mbështetës politik i kryekuvendarit Kadri Veseli ka shpenzuar mbi 24 mijë euro për udhëtime zyrtare, duke përfshirë këtu pagesat për akomodime në hotele, bileta, sigurime shëndetësore, viza dhe pagesa tjera gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit.
Në bazë të raportit financiar të cilin e ka publikuar Kuvendi i Kosovës, shihet se vetëm brenda 3 muajve janë realizuar 28 udhëtime zyrtare jashtë vendit nga stafi bështetës i kryeparlamentarit, shkruan FaktePlus.
Holanda dhe Franca janë dy shtetet që më së shpeshti u vizituan nga këta zyrtarë brenda kësaj kohe.
Kurse, vendet e tjera të përfshira në këto udhëtime zyrtare janë edhe Brukseli, Italia, Austria, Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia.
E pjesa më e madhe e shpenzimeve është bërë për të siguruar rehatinë e stafit të Veselit nëpër hotele.
8 mijë e 131 euro e 4 cent, është shuma që u shpenzua për akomodimin e këtyre zyrtarëve.
Kurse, për mëditjet e këtyre udhëtimeve zyrtare janë shpenzuar 6, 909. 50 euro.
Rreth 8,176.61 euro janë shpenzuar për biletat e këtyre udhëtimeve zyrtare.
Ndërsa, sigurimet shëndetësore u kanë kushtuar 700.00 euro stafit mbështetës të Veselit.
E, shpenzimet tjera gjatë udhëtimit zyrat jashtë vendit, 117. 65 euro./Fakteplus