Prokuroria sqaron rastin me avokatin Gazmend Halilaj
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka sqaruar rastin e avokatit Gazmend Halilaj, të cilin tha se e ka ftuar për intervistim në vazhdën e hetimeve për rastin e Drenasit.
“Për hir të informimit të drejtë e të saktë, ju njoftojmë se avokati, Gazmend Halilaj, ka qenë i ftuar për intervistim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, dhe nuk është arrestuar, siç kanë shkruar sot disa media. Intervistimi i avokatit Halilaj, është në vazhdën e veprimeve hetimore, për shkak të rastit që jeni tashmë të gjithë në dijeni”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, raporton FaktePlus.
Me tutje Prokuroria ka theksuar se, jo vetëm për këtë rast, por për asnjë tjetër nuk bien në ndikimin e askujt.
“Po ashtu, Prokuroria e Prishtinës, ju njofton se për këtë çështje vendosim ne duke u bazuar në prova dhe fakte konform dispozitave ligjore, si dhe, në asnjë mënyrë nuk biem në ndikim të askujt, për asnjë rast e as për rastin në fjalë. Andaj, kërkojmë nga të gjitha mediat mirëkuptim, që të mos publikojnë shkrime të pakonfirmuara nga Sistemi prokurorial e posaçërisht kur ka të bëjë me punën e prokurorëve, me të cilat e pengojnë dhe mund të dëmtojnë rrjedhën normale të hetimeve”, thuhet në njoftim. /FaktePlus