Julien Lopetegui rrëfen shkarkimet nga Spanja e Real Madridi
Julen Lopetegui iu rikthye momenteve të tij te Real Madridi dhe çfarë ndodhi me të në kombëtaren spanjolle.
Rrëfimin e bëri për mikrofonin e BBC. Ish-trajneri i bardhë siguron se pavarësisht të gjithë atyre që ka përjetuar, “kurrë nuk do të thotë një fjalë të keqe në lidhje me Real Madridin”.
Lopetegui tregon se sa keq e ka ndier veten kur u shkarkua si trajner i “La Roja”, një ditë para nisjes së Botërorit të Rusisë, verën e kaluar.
“Kjo ishte një kohë shumë e vështirë dhe nuk do të harroj kurrë, sepse ishte një surprizë. Ndjeva se ishte një shkarkim shumë i padrejtë. I trishtueshëm ishte edhe “fluturimi” prej pesë orësh për në shtëpi, nga Moska në Madrid. Nuk kam thënë asgjë, por kjo është jeta. Kjo ishte një përvojë shumë e vështirë”, tha ai.
Ai pohon se ndryshimi i papritur e la edhe pa gjumë.
“Nuk e kuptoja çfarë po ndodhte kaq vrullshëm me mua. Një ditë isha duke trajnuar kombëtaren në Rusi për Kupën e Botës, të nesërmen e pashë veten në “Santiago Bernabeu” me një ekip të ri”, shtoi ai.
Megjithëse nuk nxjerr asnjë fjalë të keqe nga goja për kohën e kaluar me “Los Blancos”, Lopetegui ankohet për shkarkimin e tij të shpejtë.
“Nuk kam pasur kohë, kjo është mënyra më e mirë për ta shpjeguar atë që ndodhi”, theksoi Lopetegui.
Përveç kësaj, ai ka fjalët më të mira për stafin e tanishëm teknik dhe grupin e lojtarëve të Real Madridit.
“Kam gjithë respektin për trajnerin e ri, edhe për lojtarët. I dua ata, sepse kishin një qëndrim fantastik me mua”, deklaroi trajneri. /FaktePlus