90-vjeçarja humb 32 milionë dollarë nga një mashtrim telefonik
Një grua 90-vjeçare në Hong-Kong humbi plot 32 milionë dollarë nga një mashtrim telefonik.
E moshuara deklaroi se ishte kontaktuar në gusht të vitit 2020 nga dikush që pretendonte se punonte në zbatimin e ligjit në Kinën kontinentale dhe i tha se identiteti i saj ishte përdorur në aktivitete kriminale.
Më pas një tjetër burrë që pretendonte të ishte një zyrtar i zbatimit të ligjit në territorin ku e moshuara jetonte e vizitoi në shtëpi dhe i dha asaj një celular me të cilin mund të komunikonte me ta në mënyrë që ta ndihmonin.
Gruaja më pas bëri një seri prej 10 transaksionesh në dy llogari bankare siç udhëzohej prej tyre.
90-vjeçarja jetonte në lagjen më të shtrenjtë të Hong-Kongut, një zonë e quajtur The Peak, njoftoi South China Morning Post.
Deri më tani për ngjarjen është arrestuar një 19-vjeçar, ndërsa një tjetër është ende në kërkim.