90 raste me koronvirus, kryetari i Ferizajt kërkon të hiqet karantina për këto arsye
Ferizaj tashmë është komuna me më së shumti të prekur me koronavirus.
Në Kosovë tashmë janë 561 persona të infektuar me koronavirus, përderisa Ferizaj është komuna me më së shumti të prekur, janë 90 qytetarë nga kjo komunë që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
Komuna e Ferizajt për shkak të numrit të madh të rasteve me koronavirus është futur në karantinë mirëpo, i pari i Ferizajt, Agim Aliu ka propozuar që komuna e udhëhequr nga ai të hiqet nga karantina.
Sipas Aliut, nëse Ferizaj hiqet nga karantina, Policia e Kosovës do të mund të kontrollonte më mirë qytetarët dhe do të mundësohej respektimi i masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë e Kosovës për kufizimin e lëvizjes së lirë.
Aliu ka thënë për lajmi.net, se në rast se hiqet karantina, Policia e Kosovës do të mund të qëndronte afër edhe rasteve të vetizoluara që tashmë janë në Ferizaj.
“Unë kam biseduar edhe me ministrin Arben Vitia sa i përket çështjes së heqjes së karantinës. Janë arsyet logjike dhe arsyet praktike. Arsyeja logjike është sepse tashmë ne kemi masa edhe vendime të qeverisë të cilat e bëjnë kufizimin e lëvizjes të qytetarëve në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit dhe duke qenë se ky kufizim është një orë e gjysmë, nëse respektohet në 100 për qind ky vendim, nuk ka asnjë mundësi që një qytetar i Komunës së Ferizajt për 90 minuta të shkojë në një qytet tjetër dhe të kthehet. Pra respektimi si duhet i masave, veprimeve dhe vendimeve të qeverisë është në fakt një lloj karantine. Kjo është do me thënë çështja e parë e që është çështje logjike. Çështja praktike është se, duke u vendosur policia në pikat e hyrjes së Komunës së Ferizajt nuk po ka mundësi që të ketë kapacitete që të e kryej punën në mënyrën më të mirë sepse tashmë policia është me resurse të kufizuara duke pasur parasysh se kemi edhe dy qendra të tjera të rëndësishme të Kosovës në karantinë, Prishtinën dhe Prizrenin. Pra tri qendrat kryesore të Kosovës janë në karantinë dhe kjo paraqet një vështirësi praktike në kuptimin që policia të jetë më efektive dhe më efikase në punët e veta. Dhe po ashtu ka hyrje kolaterale fjala po bije, për shkak të mos mundësisë me u mbajt karantina në Ferizaj. Nëse hiqet karantina, ne mund t’i përdorim këto resurse policore qoftë për të respektuar vetizolimin e personave që kanë kontakt me personat e prekur me COVID-19 e po ashtu edhe për t’u respektuar karantina në fshatra, respektivisht vendbanime ku kemi më shumë të prekur me COVID-19. Gjithashtu shfrytëzimi i këtyre resurseve policore do të mundësonte që të shihej më shumë dhe më afër edhe ajo se sa mund të respektohet masa dhe veprimet e qeverisë për qarkullim brenda një orë e gjysmë. Kur kemi më shumë policë, ne mund të ndalim më shumë qytetarë për të parë se a janë duke qarkulluar në kohën që është e lejuar për ata. Prandaj heqja e karantinës ka arsye edhe logjike edhe arsye praktike, por sido qoftë kjo nuk është as në dorën time e as në dorën e ministrit Vitia, por është në dorën e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike sepse ju e dini që në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së edhe merren vendimet për këto çështje. Por kjo është vetëm një kërkesë në bazë të këtyre arsyeve që përmenda edhe në bazë të komunikimit që kemi pasur me Policinë e Kosovës, në këtë rast me Drejtorinë Rajonale të Ferizajt dhe me komandën e policisë në Ferizaj, sepse ata janë duke pasur vështirësi dhe ne jemi duke u munduar që t’i mbështesim në maksimum. Madje Komuna e Ferizajt është duke i mbështetur në aspektin logjistik sepse shumica e automjeteve të administratës tashmë janë në dispozicion të Policisë së Kosovës”, u shpreh Aliu.
I pyetur se a do të mund ta keqpërdorin banorët e Ferizajt heqjen e karantinës, ai ka thënë se kjo do të ishte e pamundur, pasi që siç u shpreh Aliu, pjesëtarët e policisë do ta pamundësonin një gjë të tillë.
“Prandaj kjo është arsyeja që policia të vendos më shumë pika kontrolli brenda zonave urbane në mënyrë që t’i ndalojë qytetarët dhe t’i respektojë në mënyrë strikte vendimin për qarkullim 90 minutësh. Kjo veç çka prodhon efekte pozitive sepse do e parandalojë daljen e qytetarëve pa nevojë në radhë të parë edhe respektimin më të madh të këtyre masave dhe vendimeve që ka marrë qeveria për kufizim të lëvizjes”, u shpreh Aliu.
Mirëpo, sa i përket të prekurve me koronavirus në këtë komunë, Aliu ka thënë se zyrtarisht janë 90 persona nga Ferizaj, por që tre prej tyre janë nga komuna e Shtimes të cilët i kanë bërë testin në IKSHPK-në në Ferizaj dhe automatikisht janë futur në listë si të Ferizajt.
Në mesin e 90 të infektuarve me koronavirus, vetëm katër prej tyre janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) dhe se sipas Aliut gjendja shëndetësore e tyre është e mirë dhe stabile.
“Gjendja e të prekurve hiq dy raste që tashmë kanë përfunduar me fatalitet, është gjendje stabile, e qëndrueshme, kjo vjen si rezultat i asaj që kanë raportuar sot mjekët nga raportet e institucioneve shëndetësore, nga raporti i QKMF-së, i Institutit të Shëndetit Publik në Ferizaj dhe Spitalit të Ferizajt, por po ashtu drejtpërdrejt kam kontaktuar edhe me shumicën prej të prekurve. Prej tyre dy që janë të shtrirë tashmë në Klinikën Infektive, kam komunikuar ndërsa gjithsej nga Komuna e Ferizajt janë katër persona të shtrirë në Klinikën Infektive, por me dy prej tyre kam komunikuar dhe gjendja e të gjithëve në Infektivë është e mirë. Po ashtu edhe pacientët të cilët janë në shtëpi edhe me ata kam komunikuar dhe ata nuk paraqesin ndonjë simptomë të veçantë dhe ndonjë vështirësi të veçantë të natyrës së virusit COVID-19, do me thënë është gjendja stabile e tyre. Pra jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë të prekurit me gjithë rastet pozitive në Komunën e Ferizajt dhe gjendja e tyre është stabile. Ne kemi komunikuar jo vetëm për të pyetur për gjendjen shëndetësore të tyre, por edhe për çështjet e furnizimit me pako ushqimore dhe higjienike. Ne i kemi mbështetur këto familje me pako ushqimore dhe higjienike dhe do i mbështesim gjatë gjithë kohës sa të kenë nevojë, prandaj kjo ishte edhe arsyeja unë i kam telefonuar gjatë ditës së djeshme shumicën prej tyre dhe do të vazhdojë t’i kontaktojë për të parë nga afër gjendjen edhe shëndetësore por edhe gjendjen në kuptimin e mbështetjes sociale dhe mbështetjeve të tjera që kërkohen nga ata”, tregoi Aliu për lajmi.net.
Ai ka bërë të ditur se deri më tani Shtabi Emergjent i Komunës së Ferizajt ka arritur që të identifikojë afër 400 persona të cilët kanë pasur kontakte me të prekurit.
Aliu ka treguar se edhe gjatë ditës së sotme janë bërë teste për koronavirus dhe në mesin e tyre janë edhe shtatë pjesëtar të personelit mjekësor që janë në pritje të rezultatit, dy mjekë dhe pesë infermierë.
“Deri më tani Shtabi Emergjent në Komunën e Ferizajt ka arritur që të identifikojë afër 400 personave që kanë pasur kontakte me të prekurit me COVID-19 dhe presim që ditët në vazhdim të jenë pjesë e testeve që bëhen nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, por sigurisht që kjo është çështje e menaxhimit nga ana e Institutit. Sot janë bërë teste në Ferizaj. Është një pjesë që presin rezultate që janë bërë dje, por janë bërë në orët e vona dhe nuk kanë mundur të përpunohen si rezultatet. Presim rezultatet që të dalin sot. E po ashtu edhe sot është një numër që është duke u bërë i testeve. Nuk e di krejt saktë sa do të mund t’i përpunojë IKSHPK-ja, por është edhe një pjesë e stafit shëndetësor që janë testuar sepse kjo pjesë e stafit shëndetësor ka pasur komunikim me viktimën e parë të Ferizajt dhe sot ata do të testohen dhe do të marrim rezultatet edhe për ata. Janë 7 pjesëtarë të stafit shëndetësor që janë testuar. Janë dy mjekë dhe 5 infermierë”, ka treguar Aliu.
Theksojmë se deri më tani në tërë Kosovën janë 561 persona të prekur me koronavirus, 93 të shëruar dhe 12 të vdekur.