6 të vdekur nga Koronavirusi në Kosovë, a po pastrohen kufomat e tyre?
Deri më tani në Kosovë janë shënuar 6 vdekje të cilët ishin të infektuar me Koronavirus.
Ndërkaq, numri i të infektuarave ka shkruar në 224.
Rasti i fundit është 66 vjeçarja nga Malisheva e cila ndërroi jetë si pasojë e prekjes nga Covid-19. Ajo tash e disa ditë po trajtohej në kujdesin intensiv të Klinikës Infektivë të QKUK-së.
Ceremonia e varrimit e kësaj viktime u krye mbrëmë në orën 22:00, pak para mesnatës.
Pas situatës së krijuar në vend nga përhapja e koronavirusit, Bashkësia Islame e Kosovës ka nxjerr një vendim, lidhur me kufomat e personave të infektuar me COVID-19.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, BIK-u ka njoftuar se me rastin e vdekjes së personit si pasojë e infektimit me koronavirus, nëse kufoma përgatitet në morgun e QKUK-së, atëherë ndalohet hapja e arkivolit.
“Në rastin e vdekjes së personit si pasojë e infektimit me koronavirus (konfirmuar nga IKSHPK’ja), nëse kufoma përgatitet, pastrohet dhe mbyllet hermetikisht në morgun e QKUK-së, atëherë ndalohet hapja e arkivolit dhe xhenazja do të varroset pa u pastruar nga autoriteti fetar, ndërsa Namazi i xhenazes do t’i falet pas varrosjes, duke respektuar distancën e duhur sociale në raport Imam-Xhemat”, thuhet në vendim.
Sipas këtij vendimi, me rastin e vdekjes së personit për të cilin dyshohet se ka qenë i infektuar me koronavirus, “të vdekurit do t’i derdhet vetëm uji nga sipër, pa e prekur me duar trupin e tij.
“Në rastin e vdekjes së personit për të cilin dyshojmë apo frikësohemi se mund të ketë qenë i infektuar me koronavirus, xhenazja do të pastrohet në atë mënyrë që të vdekurit do t’i derdhet vetëm uji sipër, pa e prekur me duar trupin e tij”, thuhet tutje në vendim.
Në rastet e tjera, BIK-u u bën thirrje imamëve dhe qytetarëve që t’i respektojnë udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Gruaja nga Malisheva që vdiq nga koronavirusi, u varros mbrëmë para mesnatës