51 të infektuar me koronavirus në Britaninë e Madhe, ambasada e Kosovës jep detaje për kosovarët atje
Në gjithë botën deri më tani është raportuar për 90 mijë persona që janë prekur nga koronavirusi, përderisa Kina vendi prej nga edhe është origjina e këtij virusi vdekjeprurës, prin për nga numri i të vdekurve dhe infektuarve.
Koronavirusi është përhapur në mënyrë të shpejtë edhe në vendet e Bashkimit Evropian, por edhe në Britaninë e Madhe.
Nga koronavirusi janë infektuar edhe 51 persona në Mbretërinë e Bashkuar dhe kjo është konfirmuar nga kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili menjëherë ka kërkuar mbledhje me komitetin për emergjenca, Kobra.
Nga ambasada e Kosovës në Londër, kanë bërë të ditur se deri më tani asnjë shtetas i Kosovës nuk është i infektuar me koronavirus.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër është duke e monitoruar dhe ndjekur me shumë vëmendje dhe kujdes emergjencën shëndetësore lidhur me përhapjen e “Coronavirus – Covid 19”. Fatmirësisht, deri më sot nuk rezulton i prekur nga ky virus asnjë shtetas nga Kosova. Pra, Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër, që nga koha e përhapjes së coronavirus-it dhe deri më sot, nuk ka pranuar asnjë njoftim që shtetas kosovarë në Mbretëri të Bashkuar apo Irlandë të jenë prekur nga ky virus”, thuhet në përgjigjen e ambasadës dhënë për lajmi.net.
Po ashtu ambasada e Kosovës në Londër, iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Irlandën Veriore, të kontaktojnë ambasadës pa asnjë hezitim.
“U bëjmë thirrje shtetasve tanë me banim/qëndrim në Britaninë e Madhe dhe Irlandën Veriore, si dhe atyre në Irlandë, se në rast nevoje mund të kontaktojnë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër në numrat: +44 (0) 207 659 6140 si dhe +44 (0) 207 659 6137”, kanë bërë të ditur nga ambasada.
Theksojmë se, numri i personave të vdekur në gjithë botën nga koronavirusi i ri ka arritur në 3 mijë. Ku më shumë se 90 për qind e të gjitha vdekjeve janë raportuar në Hubei, provincë kineze ku ka shpërthyer fillimisht virusi në dhjetor të vitit të kaluar.
Deri më tani është raportuar për të vdekur në më shumë se dhjetë shtete, duke përfshirë më shumë se 50 në Iran dhe më shumë se 30 në Itali.
Po ashtu të hënën, Koreja Jugore, vendi në të cilin është përhapur më së shumti koronavirusi i ri jashtë Kinës, ka raportuar se numri i të infektuarve ka arritur në 4 mijë e 212, ndërsa i të vdekurve në 26.
Shtetet si Katari, Ekuadori, Luksemburgu dhe Irlanda kanë konfirmuar rastet e para të prekura nga virusi gjatë fundjavës, derisa Indonezia po ashtu ka njoftuar për një të prekur të hënën.
Nju Jorku ka njoftuar për një paciente të infektuar pas udhëtimit të saj në Iran, derisa është raportuar për dy persona të vdekur në Uashington.