5 policë me coronavirus, Policia e Kosovës në kushte të renda pune
Pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, 3 në komunat veriore të banuara me shumicë serbe dhe një në Prishtinë e tjetri nga Malisheva janë të prekur me coronavirus, kanë bërë të ditur burime të sigurta brenda Policisë së Kosovës.
Burimet kanë thënë se ata janë në gjendje stabile. Këto pesë raste i ka konfirmuar për Reporterin edhe Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. Ai ka thënë se gjendja e tyre po monitorohet në vazhdimësi.
“Një rast në Malishevë zyrtari ka qenë i liruar nga puna, ne pushim si rast i veçantë shëndetësor dhe i njëjti nuk ka pasur kontakt me ndonjë zyrtar policor ( gjendet ne vetë karantinë). Një rast në rajonin e Prishtinës vizitë studimore në Londër, dhe falë syçëltësisë së dhe komunikimit me DSHSH-në, menjëherë është vendosur në (vetë karantinë) duke mos rrezikuar aspak të tjerët. Tri raste në Veri të Mitrovicës–zyrtaret janë duke u monitoruar dhe gjenden në karantinë.”, ka thënë Kelani.
Por, nuk është vetëm rreziku i prekjes me virusin, sfida me të cilën po përballet Policia e Kosovës.
Një zyrtar i lartë në Policinë e Kosovës i ka thënë Reporteri.net se Policia po vepron në limitet e saja, pasi ata po përballen tash e një muaj me një gjendje thuajse të jashtëzakonshme, por pa ndihmën e autoriteteve të tjera të sigurisë.
“Për 1 muaj gati Policia ka punuar me orar të zgjatur. Ne kemi punuar me të gjitha kapacitetet tona, duke i shfrytëzuar ato në maksimum. Në shumicën e rasteve, një polic punon deri në 12 orë në ditë. Shto faktin që ne kemi shumë pika statike të kontrollit, por edhe patrulla e intervenime të tjera, mund të themi se jemi në gjendje jo të mirë”, kanë thënë burime policore.
“Në një situatë të tillë, do të thotë se policia do të veprojë në limitet e saja. Duhet pasur parasysh është se është e domosdoshme të mendohet një plan i mbështetjes për Policinë e Kosovës”, ka thënë ky zyrtar i policisë.
“Situata në të cilën po vepron Policia e Kosovës është thuajse e jashtëzakonshme. Pra ne po veprojmë me kapacitete tona maksimale tash e një muaj. Edhe një muaj tjetër, me kapacitete të njëjta, pa mbështetje shtesë në forca të sigurisë, do të jetë tejet vështirë e përballueshme për ne”, ka thënë ky burim.
Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur në karantinë shumë qytete, përfshirë edhe Prishtinën. Në secilin qytet, ka pika kontrolli në të gjitha mundësitë e hyrje-daljeve. Prej nesër, masat e kontrollit shtohen që do të thotë se edhe Policia do të duhet të jetë edhe më e angazhuar. Nga nesër në të gjithë Kosovën do të ketë disa termine specifike të lëvizjes, duke përdorur numrin e parafundit të letërnjoftimit.
Se po punohet me orar të zgjatur e ka konfirmuar edhe Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, i cili në T7 ka deklaruar se momentalisht kanë mjetet mbrojtëse që ju duhen për punën në terren e se janë duke punuar me orarin 12 orësh.
“Në fillim s’kemi qenë shumë të furnizuar, por gradualisht jemi përgatitur dhe policët tanë kanë mjete mbrojtëse të mjaftueshme. Ne kemi kaluar në orarin 12 orësh për shkak të angazhimeve të shtuara, kemi disa komuna që janë në karantinë dhe angazhimi i policisë është shumë i madh”, deklaroi Qalaj.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka shpjeguar se referuar Planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus të ri COVID-19, ka hartuar me kohë urdhrin operativ policor të quajtur “UO për Gatishmëri dhe Reagim për Coronavirus-in COVID-19”.
“Policia e Kosovës të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme i ka ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, konform edhe angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim”, ka thënë ai.
Sipas tij, Policia e Kosovës me qëllim të mbrojtjes të të gjithë zyrtarëve policorë dhe në veçanti zyrtarëve në pikat kufitare, në lidhje me situatën rreth Koronavirusit ka ndërmarrë masat të menjëhershme përmes aktiviteteve nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore e Policisë siç janë: (Dezinfektimi, Dezinsektimi dhe Deratizimi) në të gjitha pikat kufitare, stacioneve dhe objekteve policore proces i cili është në vazhdim.
Kelani ka konfirmuar se kanë bërë angazhime shtesë.
“Policia e Kosovës po vazhdon punën e saj, përfshirë edhe orare të zgjatura duke angazhuar personel te mjaftueshëm me qellim te realizimit te detyrave dhe përgjegjësive te saja ligjore si dhe zbatimin e vendimeve te institucioneve te RKS-se. Një numër i zyrtareve policor te cilët kane sëmundje te renda dhe një pjese e stafit civil janë liruar, përderisa një pjese e tyre sipas nevoje kryejnë detyra administrative nga shtëpia përmes pajisjeve elektronike. Disa zyrtar që janë sugjeruar për vetë izolimi dhe izolimi i detyruar ka rrjedhe me rekomandim te Ekipeve Mjekësorë neper pikat kufitare, ( pas ardhjes se tyre nga vende te ndryshme si ; Zvicër, Londër, Serbi, Amerike, Gjermani etj.). Çdonjëri prej tyre ka Udhëzimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe nga Ekipet Mjekësore ne pikat Hyrëse te Kosovës”, ka thënë Kelani.