4 raste të dhunës në familje u raportuan në 24 orët e fundit, të gjithë të dyshuarit në mbajtje
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një problem i madh në shoqërinë kosovare. Vrasja e një gruaje në Llaushë të Skenderajt më 5 janar, nxiti reagime të shumta e protestë në vend, pasi që bashkëshorti i 48-vjeçares, i dyshuari për vrasjen e saj, ishte liruar në procedurë të rregullt, katër ditë para rastit tragjik, kur tani e ndjera e kishte denoncuar për dhunë në familje.
Reagimet, protesta e kërkesa që rastet e tilla të trajtohen me seriozitet, duket se kanë rënë në veshin e Prokurorisë.
Kjo pasi që, në katër rastet e dhunës në familje që janë raportuar në Polici gjatë 24 orëve të fundit, të dyshuari janë dërguar në mbajtje.
Rasti i parë ka ndodhur në Prishtinë. Aty, dje rreth orës 14:20, një i mitur e ka denoncuar në Polici vëllain e tij, për të cilën pretendon se e ka sulmuar fizikisht.
Për shkak të lëndimeve, i mituri ka pranuar tretman mjekësor.
Ndërkaq, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Po në Prishtinë, rreth orës 16:00, u raportuar edhe një rast tjetër i dhunës në familje. Këtë herë, një grua raportoi se pas një mosmarrëveshje, bashkëshorti i saj e ka kanosur në prezencë të fëmijëve.
Policia njofton se ka prangosur të dyshuarin, i cili me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Rasti i treti ndodhi në Ferizaj. Atje, Policia arrestoi një burrë i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, pas një konflikti verbal.
Edhe ky i dyshuar përfundoi në mbajtje, me vendim të Prokurorit.
Rasti i katër ka të bëjë me arrestimin e një burri, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, pasditen e 5 janarit, rreth orës 15:01, në Gjilan.
Madje, sipas Policisë, i arrestuari dyshohet që në vazhdimësi ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj dhe familjarëve të tjerë.
Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.