3800 kërkesa nga mësimdhënësit e viteve 90-ta në MPMS
Që nga 15 gushti i këtij viti kur edhe ka filluar aplikimi i mësimdhënësve për t’u kompensuar për kontributin e dhënë gjatë viteve 1990-99 në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) janë dorëzuar rreth 3800 kërkesa për kompensim. Zyrtarët e MPMS kanë theksuar se nuk ka ndryshim për pagesat e kësaj kategorie dhe ata do të marrin siç është përcaktuar më parë nga 19 deri në 95 euro.
Që nga viti 2013 mësimdhënësit e viteve të 90-ta, pritën që Kuvendi i Kosovës ta miratojë Ligjin, i cili do t’ua garantonte atyre kompensimin për kontributin e dhënë gjatë asaj kohe.
Ndërsa, deri në ditën e fundit të muajit shkurt të këtij viti deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e miratuan në lexim të dytë Ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999.
Por, pas miratimit punonjësit e arsimit për ato vite do të paguhen për punën e tyre në vlerën nga 19 deri në 95 euro në muaj.
Bahri Xhaferi, udhëheqës i Departamentit të Pensioneve, departament ky që operon në kuadër të Ministrisë së Punës së Mirëqenies Sociale, ka thënë për FaktePlus se deri më tani janë paraqitur diku rreth 3800 kërkesa, duke shtuar se afati është deri më 30 nëntor të këtij viti.
Xhaferi, ka deklaruar se kompensimi për të gjithë mësimdhënësit e asaj kohe do të bëhet në mënyrë retroaktive dhe nuk ka ndryshim të pagesës, por do të jetë siç është përcaktuar më parë nga 19 deri në 95 euro.
“I kemi të parashtruara deri më tani diku rreth 3700 ose 3800 kërkesa. Vazhdon paraqitja e tyre dhe afat kanë deri më 30 nëntor të këtij viti. Pagesa do të bëhet në mënyrë retroaktive nga muaji prill kur edhe ka filluar zbatimi i ligjit dhe nuk besoj që do të ketë probleme. Kemi pas pak probleme rreth vërtetimeve që Ministria e Punës dhe Departamenti i Pensioneve e ka dhënë formën që mendon se është më e arsyeshme, mirëpo edhe ajo ka kaluar, ndërsa vlera e pagesës që do të bëhet është një vlerë që Ministria e Financave e ka nxjerr bazuar në pagën mesatare që ka mësimdhënësi dhe ajo fillon prej një viti, dy vjet, tre vjet e deri në nëntë vite. Kështu që do të jetë 95 euro për ata që i ka nëntë vjet pune si mësimdhënës”, ka thënë ai.
Xhaferi, ka sqaruar edhe mënyrën se si do të kompensohen këta mësimdhënës varësisht prej viteve të punës.
“Për një vit pune është 3.46 për qind nga paga e vërtetë e arsimit fillor sipas ligjit të ri për pagat, deri në 17.28 për qind të pagës bazë të arsimit fillor për nëntë vite. Do të thotë nga 3.46 për qind për një vit deri në 17.28 për qind të pagës bazë në arsimin fillor bazuar në ligjin e ri për pagat. Pra, ky do të jetë kompensimi shtesë që do t’u paguhet punëtorëve të arsimit të viteve 90-99”, ka pohuar ai.
Sipas të dhënave të publikuara më parë janë diku rreth 10 mijë punëtorë të arsimit shqip të Republikës së Kosovës, të cilët kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë viteve shkollore 1990-1999.
Mësimi në Kosovë nga viti 1990 deri më 1999 është zhvilluar nëpër shtëpitë shkolla, duke kundërshtuar kështu nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Kostoja e zbatimit të Ligjit në fjalë, sipas një llogaritje për vitin 2019, do të jetë diku 6 milionë euro, kurse për vitin 2020 rreth 7 milionë euro.
Në ditën kur edhe ka filluar zbatimi i Ligjit për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka treguar edhe se cilat dokumente duhet të kenë parashtruesit e kërkesës, duke përfshirë: kopjen e lejes së njoftimit të Republikës së Kosovës; Ekstraktin e lindjes; Ekstraktin e kurorëzimit (për pension familjar); Faturën e tatimit në pronë; Vërtetimin nga Drejtorati Komunal i Arsimit, apo Rektorati për periudhën e shërbimit në sistemin e arsimit shqip të Republikës së Kosovës; si dhe Kopjen e vendimit për përfituesit e pensionit bazë, përkatësisht kontribuues./FaktePlus