38 milionë njerëz kanë probleme me sigurinë e ushqimit në Evropë
Kryetari i Federatës Evropiane të Bankave të Ushqimit Zhak Vandenshrik, thotë se në Europë ka 38 milionë njerëz që kanë probleme me sigurimin e ushqimit, e nga ana tjetër 88 milionë tonë ushqim përfundon në plehra, shkaku i mos organizimit të mirë të shpërndarjes, thotë Vandenshrik në intervistën e së dielës në REL.
Banka e ushqimit, në fakt, është organizatë joqeveritare e cila lufton kundër hedhjes së ushqimit dhe kundër urisë. 25 shtete europiane, por edhe vende jashtë saj, janë pjesë e punës së federatës. Kryetari i Federatës Evropiane të bankave të ushqimit, Zhak Vandenshrik thotë se është më lirë ekonomikisht që ushqimi i mbetur të donohet sesa të hidhet në plehra.
“Ekonomikisht është më lirë për kompanitë që ushqimi të mos hidhet po të donohet. Humbjet e ushqimit janë skandaloze, është turp si në aspekt social ashtu edhe ekonomik e shëndetësor, në këtë mënyrë i harxhojmë resurset e planetit në mënyrë të pakontrolluar, kurse paradoksi është se 35 milionë njerëz vetëm në Evropë kanë probleme me ushqimin.” -deklaron Zhak Vandenshrik, Kryetar i Federatës Evropiane i Bankave të Ushqimit.
Për vendin tonë, Vandenshrik thotë se duhet të marrim shembuj nga jashtë, fillimisht duhet të zgjidhen çështjet ligjore të cilat janë pengesë për donimin e ushqimit, gjithashtu të krijohen kushte për organizata dhe banka të ushqimit. Në disa shtete europiane, Vandenshrik thotë se qeveritë kanë vendosur që donimi i ushqimit të tepërt të jetë i patjetërsueshëm, përndryshe kultivuesit ose edhe afaristët të cilët do ta shkatërrojnë ushqimin, do të dënohen.
“Duhet të lehtësohet mënyra e donimit të ushqimit, nuk jam ekspert për RMV-në por, fillimisht duhet t’i mënjanoni pengesat ligjore, të krijoni kushte për organizata por edhe banka që do ta mbledhin ushqimin e donuar dhe të merrni shembull nga Evropa, e cila, në disa shtete ka ligje për sanksionim të kultivuesve dhe afaristëve të cilët nuk e donojnë ushqimin e mbetur.” –shprehet Zhak Vandenshrik, Kryetar i Federatës Evropiane i Bankave të Ushqimit.
Për cdo vit në Maqedoninë e Veriut hidhen rreth 10 mijë tonë ushqim në vlerë prej rreth 12 milionë euro, e nga ana tjetër rreth 450 mijë njerëz kanë rrezik nga varfëria apo uria, tregojnë statistikat. Në nivel botëror 800 milionë njerëz nuk kanë sasi të mjaftueshme të ushqimit.