33-vjeçares në Afganistan i nxirren sytë pasi hyri në punë në Polici
Gjëja e fundit që 33-vjeçarja Khatera ka parë në tre muajt e fundit, ishin tre burra në një motoçikletë të cilët e sulmuan atë pasi doli nga puna, një stacion policor në qendër të provincës Ghazni në Afganistan, duke e sulmuar dhe duke ja nxjerrë sytë me thikë.
Duke u zgjuar në spital, gjithçka ishte errësirë.
“I pyeta doktorët pse nuk mund të shoh asgjë? Ata më thanë se sytë i kam ende të lënduar. Por atë moment e kuptova që sytë më ishin marrë nga unë”, tha ajo.
Ajo dhe autoritetet lokale fajin e kanë hedhur te militantët talibanë. Dyshohet që militantët ishin të angazhuar nga babai i saj, pasi ai kishte qenë vazhdimisht kundër punësimit të saj jashtë shtëpisë.
Për Khateran sulmi nuk ia mori vetëm sytë, por edhe ëndrrën për të pasur një karrierë të pavarur. Ajo ju bashkua policisë në Ghazni si oficere, disa muaj më parë.
“Do të doja të shërbeja në polici së paku një vit. Nëse kjo do të më ndodhte mua pas një viti, do të ishte më pak e dhimbshme. Ka ndodhur shumë shpejt, unë kam punuar dhe jetuar ëndrrën time vetëm për tre muaj” i ka thënë ajo Agjencisë së lajmeve Reuters.