Shtëpia e Bardhë publikon foto nga takimi Thaçi-Vuçiq
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Shtëpinë e Bardhë të hënën.
Shtëpia e Bardhë ka publikuar foto zyrtare nga ky takim mes liderëve.
Thaçi dhe Vuqiç ishin pritur në Shtëpinë e Bardhë nga Këshilltari për Siguri Kombëtare në SHBA, Robert O’Brien dhe I dërguari Special i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
“Dje, Këshilltari për Siguri Kombëtare, O’Brien dhe Richard Grenell kanë takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe presidnetin e Kosovës, Hashim Thaçi. Marrëdhëniet Serbi-Kosovë kanë një rëndësi të madhe për administratën e Trump”, thuhet në njoftimin zyrtar të Shtëpisë së Bardhë për këtë takim.
Yesterday, NSA O’Brien and @RichardGrenell met with @predsednikrs and @HashimThaciRKS. The Serbia-Kosovo relationship is of great importance to the Trump Administration. pic.twitter.com/BLhl9DKUkD
— NSC (@WHNSC) March 3, 2020
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi tha se takimi ishte zhvilluar me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.
“Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump”, tha Thaçi.
“Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm”, deklaroi më tej presidenti i vendit.
“Duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë. SHBA është shpresa dhe besimi ynë. Jemi mirënjohës përjetë”, përfundoi ai.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha mbrëmë se takimi i tij me homologun kosovar, Hashim Thaçi, në Uashington, kaloi “zakonshëm” dhe tha se Serbia ishte duke pritur për heqjen e taksës “në mënyrë që të mund të diskutonim çështjet thelbësore”.
Vuçiq i tha RTS-së se në takim morën pjesë i dërguari special i Amerikës në Kosovë-Serbi Richard Grenell dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Trumpit, Robert O ‘Brien.
Ai bëri me dije poashtu se gjatë vizitës së tij dyditore në Uashington, kishte një numër takimesh dhe bisedoi me të gjithë ata siç tha ai “që vendosin për ne”, nga Mike Pompeo, Robert O’Brien e deri te Richard Grenell
“Asnjë prej tyre nuk dëshiron që Serbia e vogël të bëjë edhe një armik të vogël, por ata duan të bashkëpunojnë me ne, dhe e jona është ta përdorim atë,” i tha Vuçiq RTS-së.