301 pacientë me Covid-19 në spitalet e Kosovës, 29 në gjendje të rëndë
Aktualisht në Kosovë 29 pacientë janë në gjendje të rëndë, 123 po marrin oksigjenoterapi.
Kjo është bërë e ditur nga një njoftim i Shërbimit Klinik Spitalor të Kosovës.
“301 pacientë me Covid-19 në QKUK dhe spitalet e përgjithshme. 301 pacientë të konfirmuar me Covid-19, po vazhdojnë të marrin tretman shëndetësor në klinikat e QKUK-së dhe Spitalet e Përgjithshme të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. Sipas raportit të datës 12 Korrik 2020, në klinikat e QKUK-së, ka të shtrirë 190 pacientë kurse në 7 spitalet e përgjithshme 111 pacientë”, thuhet në njoftimin e SHKSUK-së.
“Prej tyre, 123 me oksigjenoterapi në QKUK dhe 49 në spitalet e përgjithshme. Nga numri i përgjithshëm i pacientëve të konfirmuar me Covid-19, 29 janë në gjendje më të rënduar nën përkujdesje të vazhdueshme intensive”, thuhet më tej në njoftim.
Deri tash në Kosovë kanë vdekur 101 pacientë të prekur me COVID-19. Janë prekur gjithsejtë 4 mijë e 715 qytetarë, prej të cilëve 2 mijë e 227 janë shëruar.
Në gjithë botën janë prekur me shumë se 12 milionë banorë, janë shëruar gati 7 milionë dhe kanë vdekur 560 mijë njerëz.