“3 muaj tranzicion”, BQK njofton për një plan të ri për heqjen e dinarit nga përdorimi
![](https://fakteplus.net/wp-content/uploads/2021/12/bqk-3-600x360-1.jpg)
Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së re e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb në vend s’mund të zgjasë më shumë se tre muaj.
BQK tha se ka hartuar një plan të ri zbatimi me qëllim që t’i lehtësojë efektet e rregullores së re për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara.
Sipas BQK-së, tash ka një plan me “veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare”.
Rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, ndërsa Qeveria e Kosovës u përball me një presion ndërkombëtar për ta shtyrë zbatimin.
Faza e tranzicionit e propozuar nga Ekzekutivi ishte përgjigjja e kryeministrit Albin Kurti ndaj vërejtjeve të ambasadorëve.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde të premten kërkoi zgjatjen e periudhës së tranzicionit për zbatimin e rregullores. Ai shkroi në “X” se “duhet një periudhë mjaft e gjatë tranzicioni dhe informimi për rregulloren e BQK-së”.
“Me fushatën e saj 4-mujore përpara liberalizimit të vizave, Qeveria e Kosovës ka treguar se di të komunikojë siç duhet. Ne kemi nevojë për atë sërish tash!”, shkroi Rohde.
Plani i BQK-së për zbatim të lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme:
- Funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800-222-55), e-mailit për ankesa, si dhe numrit të dedikuar në ‘viber’
- Lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, në raste specifike në komunat me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore, me mundësi të kompletimit të dokumenteve (dëshmi të adresës) edhe pas hapjes dhe aktivizimit të llogarisë
- Pezullimi i përkohshëm i tarifës të BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore
- Zgjerimi i prezencës me degë bankare jobankare për mbulimin me degë shtesë dhe rritje të ofrimit të shërbimeve financiare në komunat në veri të vendit
- Organizimi i ofrimit të shërbimeve bankare (hapje e llogarisë) në mënyrë mobile nga bankat komerciale (remote banking) në secilën nga katër komunat veriore, në mënyrë të organizuar me qëllim të jenë sa më afër qytetarëve
- Vendosja e disa bankomatëve (ATM) si dhe pajisjeve tjera për pagesa elektronike (POS), apo vet-shërbime financiare
- Lehtësimi i procesit të këmbimit të dinarëve me EURO nga institucionet financiare dhe këmbimoret të licencuara
- Vazhdimi i aktivitetit të intensifikuar promovues, me materiale të personalizuara dhe thjeshtëzuara, video mesazheve, si dhe edukimit financiar të fokusuar
- Rritja e qasjes në financa, rritja e mëtejshme e kreditimit dhe pakove tjera financiare të fokusuara në këto zona nga institucionet financiare
- Rishikimi i kushteve të konvertimit me trajtim preferencial gjatë pranimit të fondeve dhe tërheqjes në bankomate (ATM) me kartela të skemave ndërkombëtare të lëshuara jashtë Kosovës