3 mijë e 705 denconcime për ngritje të çmimeve në ATK për 10 ditë
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK),për dhjetë ditë ka pranuar 3 mijë e 705 thirrje nga qytetarët të cilët kanë denoncuar bizneset të cilat i kanë ngritur çmimet
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate nga ATK-ja, ku ka theksuar se ditëve të fundit është ulur intensiteti i thirrjeve.
“Administrata Tatimore e Kosovës njofton gjithë qytetarët se Qendra e Thirrjeve do të pranojë thirrje (denoncime), nga ora 08:00 deri më 16:00. Shkurtimi i orarit të pranimit të thirrjeve është bërë duke pas parasysh numrin e zvogëluar të thirrjeve (denoncimeve) nga qytetarët në Qendrën e Thirrjeve, si dhe situatës në të cilën jemi duke kaluar, nga virusi COVID 19”, bën të ditur ATK.
Përveç thirrjeve për denoncim të çmimeve nga bizneset, në ATK kanë arritur edhe mbi 1 mijë thirrje për mos zbatimin e vendimit të qeverisë për mbyllje të lokaleve.
“Vlen të theksohet se që nga fillimi i zbatimit të vendimit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, nga data 12 mars deri me 22 mars 2020, në ATK janë pranuar në total 3,705 thirrje apo denoncime për biznese, të cilat kanë rritur çmimet, si dhe për parregullesi tatimore. Po ashtu, kemi pranuar edhe 1,091 thirrje për mos zbatimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbyllje të bizneseve, deri në tejkalimin e situatës së krijuar nga virusi COVID 19”, ka njoftuar ATK.
Ndërkohë, ATK thekson se për të gjitha denoncimet e raportuar në ATK nga data 12 mars deri me 22 mars 2020, janë bërë verifikimet tek 1, 621 biznese, ku nga këto verifikime tek 246 biznese janë konfirmuar shkelje ligjore dhe këto raste janë dërguar në njësinë për shqiptim të gjobave mandatore (mbrenda ATK-së), për nxjerrje të vendimeve ndëshkuese bazuar në raportet e inspektimit, si dhe konform dispozitave ligjore. Ndërsa, për shkeljet tjera që kanë qenë jashtë fushëveprimit të ATK-së, të konstatuara tek 42 biznese, të njëjtat janë dërguar tek Inspektoriati i Tregut.
Ndërkohë ATK thkson se diferenca e raportimeve me aktivitetet në teren (3,705 raportime me 1,621 verifikime ne teren), është pasi që qytetarët kanë raportuar me dhjetra herë për biznese të njëjta.
ATK fton të gjithë qytetarët që të raportojnë në këto dy linja telefonike: 0800 80 800 e cila është pa-pagesë dhe 038 222 165 . Këto dy linja do të jenë të hapura çdo ditë nga ora 08:00 deri në orën 16:00.