Ky është çifti nga Suedia që u vra sot në Prizren
Durim Hadri dhe Suada Hadri nga Prizreni u gjetën mëngjesin e sotëm të vdekur në shtëpinë e tyre. Ata kishin ardhur para dy ditësh nga Suedia në Kosovë. Policia dhe Prokuroria në Prizren kanë thënë se dyshimet e para nga vendi i ngjarjes janë se çifti është vrarë me armë zjarri.
Kishin ardhur në Kosovë për pushime, por mëngjesi i së mërkurës doli të jetë tragjik për Durim Hadrin dhe Suada Hadrin nga Prizreni.
Ata u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre, ndërkaq dyshimet e para nga vendi i ngjarjes janë se çifti është vrarë me armë zjarri, pasi aty u gjet arma e cila dyshohet të jetë përdorur, e cila është konfiskuar nga policia.
Durim dhe Suada Hadri
Rastin e ka konfirmuar Rreshteri i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Vesel Gashi, i cili ka thënë se sipas dyshimeve të para bëhet fjalë për vrasje.
“Ekziston dyshimi se është vrasje, por ende nuk kanë përfunduar hetimet e ekspertëve. Po presim për një raport më të detajuar”, ka thënë Gashi.
Dyshime të njëjta me policinë ka edhe Prokuroria Themelore në Prizren.
“Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, në trupat e viktimave janë vërejtur plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Gjatë shiqimit në vendin e ngjarjes, është gjetur një armë e zjarrit – pistoletë, për të cilën dyshohet se mund të jetë arma me të cilën është kryer vepra penale”, ka bërë të ditur Prokuroria.
Derisa policia ende nuk ka dhënë informacione për të dyshuar të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë rast, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Policia po e trajton këtë rast si “Vdekje e dyshimtë”.
Vrasja e çiftit në Prizren, dyshohet se dorasi ishte djali i tyre
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen Ortakoll të Prizrenit. Burrë e grua janë gjetur të vrarë me armë zjarri, në shtëpinë e tyre. Ata kishin ardhur para dy ditësh nga Suedia në Kosovë. Burimet kanë thënë se dyshohet se çifti është vrarë nga djali i tyre
U gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre, çifti që kishte ardhur nga Suedia në Kosovë po dyshohet se janë vrarë nga djali i tyre.
Këtë e kanë thënë burime brenda policisë, të cilët kanë theksuar se i dyshuari është ende në arrati.