288 mijë euro me procedurë të negociuar për një kompani të Devollëve
Nga një shtatori ka nisur procesi mësimor në gjithë shkollat fillore të Kosovës. Por, kur ka kaluar më shumë se një muaj dhe nxënësit e nivelit të ulët në shkollat e Prishtinës ende nuk po marrin qumësht, pasi tenderi është anuluar. Por, komuna e drejtuar nga Shpend Ahmeti ka negociuar për këtë çështje me një kompani të Devollëve, të cilës me procedurë të negociuar i janë ofruar 288 mijë euro.
Nuk dihet se sa do të zgjasë mungesa e furnizimit me qumësht në shkollat e kryeqytetit. Kjo pasi që është anuluar aktiviteti i prokurimit të tenderit për furnizim me qumësht.
Sipas njoftimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit të quajtur “furnizimi me qumësht”, shihet se asnjë operator ekonomik nuk është interesuar për këtë tender.
E duhet thënë se tenderët për furnizim me qumësht që shpërndahej nëpër shkollat e Prishtinës, komuna që drejtohet nga Shpend Ahmmeti deri tani ia dha kompanisë së Devollëve.
Tenderi për furnizim me qumësht për këtë vit shkollor është hapur më 11 shtator. Komuna për furnizim me qumësht në të gjitha shkolla e Prishtinës, kishte planifikuar të jepte 288 mijë euro.
Sipas njoftimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit thuhet se “Nuk ka pasur operator ekonomik të interesuar për ofertim”.
Edhe zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu ka sqaruar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se dy procedurat e hapura janë anuluar në mungesë të ofertuesve dhe se zyra e prokurimit ka zhvilluar procedurë të negociuar për furnizim me qumësht.
Ajo bëri të ditur se me procedurë të negociuar, tenderi me vlerë 288 mijë euro i është dhënë kompanisë “Abrazen” L.L.C, kompani kjo që drejtohet nga njerëzit e “Devolli Group”, e që produkt e kanë qumështin Vita.
Tenderi siç thotë Mullafazliu pritet të nënshkruhet së shpejti.
“Dy procedura te hapura janë anuluar në mungesë të ofertuesve dhe zyra e prokurimit ka zhvilluar procedurë të negociuar për furnizim me qumësht. OE që i është dhenë kontrata me këtë procedurë është “Abrazen” dhe kontrata pritet të nënshkruhet shumë shpejtë”, ka treguar Mullafazliu në një përgjigje për FaktePlus.
Kujtojmë që nxënësve në shkollat e Prishtinës aktualisht iu shpërndahen vetëm kifle.
Komuna e Prishtinës me 18 shtator kishte nënshkruar tenderin për furnizim me kifle.
Sipas njoftimit të kontratës, tenderi i është dhënë “Premimu Bakery” Sh.P.K.
Ndërkaq, vlera e kontratës kap shumën e 214 mijë e 272 euro, shkruan Agjencia e Lajmeve FaktePlus.
Ka më shumë se tri vjet prej kur nxënësit e kryeqytetit furnizohen me shujta falas nga Komuna e Prishtinës. Mirëpo, jo pak herë ka pasur ankesa për kiflet dhe qumështin që u shërbehet nxënësve.
Komuna është akuzuar se ka bërë keqpërdorime në dhënien e tenderit për furnizim me qumësht. Madje për këtë, Lëvizja Vetëvendosja kohë më parë ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori ndaj komunës./FaktePlus