28 vjeçari nga Malisheva e inskenoi rrëmbimin e tij
28 vjeçari Jetmir Rudi nga fshati Rud i Malishevës, të dielën e 22 nëntorit, ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët.
Në ndërkohë, Policia e rajonit të Gjakovës kishte ngritur dyshime se i njëjti ishte rrëmbyer.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj, kishte thënë se familjarët e Jetmir Rudit kishin pranuar disa foto të një personi i cili ishte lidhur me litar.
“Sipas informacioneve dyshohet se bëhet fjalë për kidnapim (familjaret kanë pranuar një foto të një personi i cili ishte i lidhur me një litar), edhe pse nuk dihet lokacioni dhe koha e fotos. Pritet të angazhohet dhe Njsia K-9 në kërkim të të zhdukurit”, kishte thënë ai.
Por, krejt kjo po duket se ishte vetëm një inskenim nga vetë personi që dyshohej se ishte kidnapuar.
Këtë e ka konfirmuar për klankosova.tv Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë Ali Uka.
“Ai vetë e ka pranuar se e ka inskenuar rastin. Gjatë intervistimit, ai [Jetmir Rudi] ka thënë se me këtë ka dashur ta tërheqë vëmendjen. Familjarët kanë deklaruar se nuk kanë problem me askënd dhe as djali i tyre nuk ka probleme me askënd”.
Kushëriri i tij Njazi Rudi kishte thënë për Klan Kosovën se 28 vjeçari kishte, herë pas here, edhe disa shqetësime.
“Që një kohë, ai ka pasur shqetësime. Edhe nëna e tij më ka thënë që kur ka dalë ka qenë i shqetësuar”, kishte deklaruar ai.