27 vjet nga protestat e Lëvizjes Studentore
Sot shënohet 27-vjetori i protestave të Lëvizjes Studentore, të cilat vlerësohen si kthesa më e madhe historike për Kosovën.
Atë kohë regjimi i Slobodan Milosheviqit kishte vendosur masa të dhunshme ndaj shqiptarëve dhe kishte dëbuar studentë e profesorë nga Universiteti, duke imponuar plan-program serb për mësim.
Protesta paqësore e studentëve më 1 Tetor të vitit 1997, e prirë nga rektori tashmë i ndjerë, Ejup Statovci, Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi e Muhamet Mavraj, ishte shpërndarë me dhunë.
Policia serbe për të shpërndarë protestën kishte përdorur dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve. Kishte të arrestuar dhe të lënduar në mesin e protestuesve.
Mediat e vendit dhe ato ndërkombëtare i kanë dhënë jehonë të madhe kësaj ngjarjeje, gati më shumë se cilido zhvillim politik në Kosovë, që kishte ndodhur në periudhën e paraprotestës.
Ngjarja konsiderohet prej më të rëndësishmeve të Lëvizjes Studentore dhe e njëjta ndikoi në faktorizimin ndërkombëtar në çështjen e Kosovës.