26 pjesëtarë të FSK-së të infektuar me COVID-19
Ka shkuar në 2 mijë e 799 numri i personave të infektuar me koronavirus anembanë Kosovës.
Mbrëmë u konfirmuan edhe 122 raste të reja, teksa në përgjithësi persona aktiv të infektuar me këtë virus janë 1 mijë e 244.
Në mesin e personave të infektuar janë edhe disa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në një përgjigje të dhënë për IndeksOnline, Ibrahim Shala ka deklaruar se numri i pjesëtarëve të FSK-së të cilët kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 është 26.
Pavarësisht kësaj, gjendja shëndetësore e këtyre ushtarëve të Kosovës është e mirë dhe pa ndonjë shqetësim të theksuar.
“Pas analizave të mostrave të një numri të pjesëtarëve të FSK-së, ka rezultuar se 26 prej tyre janë pozitiv. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe nuk kanë ndonjë shqetësim”, deklaroi Shala.
Madje i njëjti tha se gjendja e tyre po përcillet në vazhdimësi nga Qendra Mjekësore e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe janë duke u trajtuar në vetizolim.
Që nga fillimi i muajit mars, Kosova po vazhdon të përballet me virusin COVID-19.
Numri i viktimave si pasojë e infeksionit me këtë virus ka shkuar në 49, teksa të shëruar janë 1 mijë e 506 kosovarë.