23 Policë të Kosovës të rënë në detyrë përgjatë viteve, sindikata publikon emrat dhe fotografitë
Sot shënohet dita memoriale e policëve të rënë në kryerje të detyrës dhe 13-vjetori i rënies së heroit Enver Zymeri. Sindikata e Policisë së Kosovës ka publikuar emrat dhe fotografitë e policëve të rënë në krye të detyrës përgjatë viteve.
Policët e rënë në krye të detyrës janë Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Ilir Llaptinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Slavisa Milovanovic, Misin Krasniqi, Enver Zymeri, Jahi Maliqi Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj, Sami Thaqi, Arben Sejdiu dhe Afrim Bunjaku.
Në postimin e sindikatës, me rastin e Ditës Memoriale të Heronjve të Policisë së Kosovës, thuhet se këta heronj janë “simbol i kurajos dhe përkushtimit, dhe trashëgimia e tyre do të jetojë përjetësisht në zemrat tona”.
“Sot, në Ditën Memoriale të Heronjve të Policisë së Kosovës, kujtojmë me nderim dhe respekt të thellë të gjithë ata që kanë sakrifikuar jetët e tyre për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit tonë. Këta heronj janë simbol i kurajos dhe përkushtimit, dhe trashëgimia e tyre do të jetojë përjetësisht në zemrat tona. Lavdi përherë heronjve të Policisë së Kosovës!”, thuhet në postim.
Në shënim të Ditës memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës dhe 13-vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri bëhen homazhe shtetërore pranë lapidarit të policëve të rënë në kryerje të detyrës.
Gjithashtu do të bëhen homazhe para pllakës përkujtimore në vendin e rënies së Enver Zymerit në Zubç të Zubin Potokut.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se sot Zymeri është hero i ligjshmërisë demokratike dhe sovranitetit republikan të Kosovës. Ndërsa ka përkujtuar atë, Kurti ka përmendur se ndryshe nga 13 vjet më parë, gjendja në terren në veri të vendit “ka ndryshuar rrënjësisht”.
“Në përvjetorin e 13-të të rënies së tij, ajo për çka Enver Zymeri u vra, sovraniteti shtetëror dhe tërësia territoriale, sundimi i ligjit dhe rendi publik në veri të vendit, janë në një nivel krejt tjetër. Kjo falë këmbënguljes së institucioneve të Republikës së Kosovës në realizimin e të drejtës së saj dhe angazhimit të paepur e profesional të kolegëve të Enverit, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Rrjetet dikur të shtrira dhe të fuqishme të strukturave të paligjshme dhe kriminale në veri, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që për vite e kanë terrorizuar dhe mbajtur peng veriun e Kosovës, nuk e kanë më as shtrirjen dhe as forcën e dikurshme. Tani, policët e Kosovës e kontrollojnë veriun e vendit dhe shërbejnë për të gjithë qytetarët pa dallim sikur në çdo pjesë tjetër të Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka theksuar se nivelin e lartë të Policisë e ka dëshmuar operacioni në Banjskë më 24 shtator 2023 gatë sulmit terrorist të grupit serb.
“Me policë trima si Enveri dhe si shokët e kolegët e tij, Kosova do t’i dalë zot gjithë territorit dhe qytetarëve të saj, duke e mbrojtur demokracinë dhe tërësinë e saj”, ka theksuar Kurti.
Në nderim të policëve të rënë në detyrë, në vend do të bëhen homazhe shtetërore. Aktivitete do të zhvillohen edhe në veri, si hedhja nga ura e Liqenit të Ujmanit.
Më 26 korrik është data kur ishte vrarë polici Zymeri gjatë një aksioni në veri të vendit, e më 27 korrik 2021 ishte zbuluar pllaka përkujtimore për 21 heronjtë e Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës ndër vite. Nga atëherë, në krye të detyrës gjatë përballjes me grupin kriminal serb në Banjskë ka rënë edhe polici Afrim Bunjaku.