22 vite nga flijimi i Jasharajve, përkujtohen nga baza e Ushtrisë së Kosovës (Video)
Në Kosovë ka filluar shënimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, manifestim ky që po zhvillohet nën patronatin e kryeministrit të Kosovës.
Ky organizim bëhet në kujtim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Adem Jasharit, që njihet si komandant legjendar i UÇK-së, si dhe familjes së tij.
Fillimisht është mbajtur një seancë në Kuvendin e Kosovës, kurse manifestimi kryesor është mbajtur në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku parakaloi Ushtria dhe mbajtën fjalë rasti liderët e shtetit.
I paraqitur me uniformë ushtarake, presidenti Hashim Thaçi, duke folur për sakrificën e Familjes Jashari dha edhe një mesazh për ata që kërcënojnë Kosovën.
“Ata që kërcënojnë Kosovën duhet ta kuptojnë se nuk do të shkelin në vendin tonë, por përgjigjen do ta kenë nga Kosova në territorin e tyre, ashtu siç na ka hije si një vend paqësor. Kosova ka dalë nga një luftë e hidhur ku Serbia kreu gjenocid e shumë masakra por sot Kosova është vend i lirë dhe i pavarur dhe është vend krenar”, tha ai.
E para Ushtrisë së Kosovës ka folur edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai theksoi se vetëm shtetndërtimi mund ta shlyej borxhin ndaj Familjes Jashari.
“Është çdoherë kënaqësi të jesh në prani të Ushtrisë së Kosovës e sidomos në këto ditë të Epopesë, që do të ketë çdoherë kryekomanadantin, Adem Jasharin. Ne kemi sakrifikuar shumë që të kemi të drejta tona, shtetin tonë, ushtrinë tonë për shkak se kemi një të kaluar të hidhur. Ne kemi një ushtri të fortë, profesionale që garanton mbrojtjen tonë. Duam anëtarësim në NATO, e do të rrisim investimet që të hyjmë në NATO. Ushtria është nevojë e kohës. Shteti është i të gjithëve ose i asnjërit. Shteti dhe vetëm shteti është sovran. Populli është burimi i vetëm i sovranit. Është interesi ynë bashkëpunimi me SHBA-të pasi ne ndajmë aspiratat e përbashkëta për lirinë e njeriut. Këtë aleancë nuk do ta prish askush. Por SHBA-të duan një Kosovë të fortë dhe të pavarur. Borxhi ynë ndaj tyre shlyhet vetëm me shtetndërtim”, ka thënë ai.
Kurse në fjalën e saj kryetarja e Kuvendit të Kosovës tha se pjesëtarët e FSK-së, sot janë reflektim i sakrificës së Familjes Jashari.
“Me heroizmin e tij, komandanti Adem Jashari u shndërrua në frymëzim për të gjithë të rinjtë e Kosovës, ai u shndërrua në shembull të sakrificës. Të dashur pjesëtarë të FSK-së, ju gëzoni besimin për rolin dhe përgatitjen profesionale që ju posedoni. Ky vlerësim nga qytetarët është se ata tek ju shohin garancën e Adem Jasharit, që lanë amanet që asnjë pëllëmbë e territorit të Kosovës mos të preken”, tha ajo.
Gjatë ceremonisë së sotme nuk munguan edhe zyrtarë tjerë politikë. Madje aktivitetet për nderë të Epopesë së UÇK-së ka pasur edhe në obeliskun e Familjes Jashari në Prekaz. Ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme deri më 7 mars.
Kujtojmë se 22 vjet më parë, në Prekaz të Skënderajt, gjatë sulmeve të forcave serbe të sigurisë në këtë fshat, janë vrarë më shumë se pesëdhjetë anëtarë të Familjes Jashari. Heroizmi dhe sakrifica e komandantit legjendar me familje, bëri që të ndryshojë edhe rrjedha e historisë dhe Kosova të çlirohet përfundimisht.