20 vjet nga zhdukja e veprimtarit të mirënjohur, profesor Ukshin Hotit
Më 16 maj 1999, atëherë kur lufta kishte marrë përmasa të mëdha, Ukshin Hoti arrin ta përfundojë dënimin e tij politik në burgun e Dubravës, mirëpo edhe pse u lirua ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.
Në fakt Hoti pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë asnjë gjurmë. Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.
Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur.
Kush ishte Ukshin Hoti ?
Profesor Ukshin Hoti ishte veprimtar dhe intelektual i shquar politik në Kosovë. Ai është lindur më 17 Qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit.
Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.
Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.
Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit.
Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundra Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’rast ishte dënuar 5 vjet burg.
Në kujtim të veprës të Ukshin Hotit sot do të mbahen disa aktivitete si në kryeqytet ashtu edhe në vendlindjen e tij në Krushën e Madhe./FaktePlus