2 mijë e 600 fluturime të anuluara në ShBA brenda një dite
Udhëtimi ajror vazhdon të jetë i ndërprerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të motit të keq në disa pjesë të vendit.
ShBA kishte anuluar 2 mijë e 604 fluturime të shtunën, më shumë se gjysma e 4 mijë e 529 të anuluar në mbarë botën.
Anulimet e fluturimeve në ShBA përfaqësojnë numrin më të lartë njëditor që nga pak para Krishtlindjeve, kur linjat ajrore filluan të njoftonin mungesat e personelit si rezultat i rritjes së infeksioneve nga COVID-19 midis ekuipazheve.
Aeroportet në Çikago u goditën veçanërisht për shkak të motit të vështirë, me një stuhi dëbore që pritet në zonë të shtunën pasdite dhe gjatë natës. Më shumë se 12 mijë fluturime në ShBA janë anuluar që nga 24 dhjetori, shkruan Aljazeera.
Kompanitë ajrore thonë se po ndërmarrin hapa për të reduktuar anulimet. Shumë pilotë, stjuardesa dhe staf tjetër mungojnë në punë për shkak të infektimit me COVID-19, ose janë në karantinë pasi kanë pasur kontakt me ndonjë person të infektuar.