18 raste me Coronavirus në Prishtinë, por kryeqyteti nuk futet në karantinë
18 nga 108 personat e prekur me virusin COVID-19, janë banorë të Prishtinës. Ata banojnë nëpër lagje të ndryshme të kryeqytetit, megjithatë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, si duket nuk po e sheh të arsyeshëm izolimin e këtyre lagjeve që kanë persona të prekur me koronavirus
Më 13 mars në Kosovë u shënuan rastet e para të prekura me virusin COVID-19. Një 77-vjeçar nga Vitia e një 21-vjeçe nga Klina, të cilët rezultuan pozitivë në analizat për koronavirus, bënë që këto dy qytete të izolohen menjëherë.
Pas Klinës e Vitisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës vendosi që të izolohet edhe Malisheva e disa fshatra banorët e të cilave u prekën me koronavirus.
Megjithatë, IKSHPK-ja ende nuk ka dhënë një rekomandim të tillë për lagjet e kryeqytetit nga ku vijnë të prekurit me COVID-19.
Këtë e ka thënë për Gazetën Express drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi.
“Ende nuk kemi propozim nga IKSHPK-ja për izolim të lagjeve. Jemi në kontakt të vazhdueshëm. Situata në Prishtinë në përgjithësi është duke u menaxhuar. Pacientët e dyshimtë që vijnë edhe prej qendrave tjera shkojnë në tendën që është vendosur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë”, ka thënë Gashi.
I pari i shëndetësisë së kryeqytetit ka thënë se Prishtina me të gjitha kapacitetet do të jetë e gatshme për t’i dalë në ndihmë Qendrës Klinike Universitare, duke bërë vend për pacientët.
“Ne kemi hapësira, i kemi dy QKMF me nga 15 shtretër, 52 shtretër janë në qendrën e rekreacionit në Gërmi, ka hapësirë edhe në Pallatin e Rinisë. Nëse kërkohet ne do t’i ofrojmë të gjitha kapacitetet, por nuk është kërkuar ende nga ne”, ka deklaruar Gashi.
Se Komuna e Prishtinës mund të ofrojë hapësira për shtrirjen e pacientëve në rast të mbipopullimit të QKUK-së, ka njoftuar ditë më parë edhe i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti.
“Javën e kaluar si Komunë kemi urdhëruar dezinfektimin e disa hapësirave të mëdha që mund të shërbejnë për shtrirje të pacientëve në rast të mbipopullimit të QKUK. Këtë e kemi bërë me vetëiniciativë duke mos dashur të presim nivelin qendror për kërkesë të tillë duke ditur ngarkesën. Në dispozicion i kemi edhe rreth 60 krevate që mund të vihen në përdorim”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Ndërkohë, dy gra nga lagja Taukbahqe e Prishtinës, njëra 50 e tjetra 29-vjeçare, ishin rastet e para të prekura me koronavirus që u shënuan në Prishtinë, pasditen e 21 marsit.
Këto dy raste që kanë rezultuar pozitive, janë pjesë e testimit të kontakteve që ka pasur një i infektuar nga një komunë tjetër.
Lagja Taukbahqe, ajo e Muhaxherëve, lagja Arbëria, Lagja e Spitalit si dhe Lagja afër Shkollës Teknike, më saktësisht rruga “Haxhi Zeka” janë zonat kur janë konfirmuar rastet me Covid 19 në kryeqytet.
Kosova raportoi 2 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, duke çuar bilancin total në 108 të infektuar. 40 prej tyre janë shtruar në spital dhe janë në gjendje të qëndrueshme, ndërsa 6 pacientë janë në terapi intensive.
Në bazë të të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, qyteti i Malishevës prin me numrin e të prekurve me COVID-19.
Aty 38 persona tashmë zyrtarisht janë të infektuar. Pas Malishevës vjen Prishtina me 18 raste të personave të prekur. Gjilani ndërkohë ka 15 raste të konfirmuara me koronavirus. Vitia 7 raste. Gjakova e Vushtrria që të dyja me nga gjashtë raste të paraqitura si të infektuar me COVID-19.
Në Podujevë janë paraqitur 4 raste me COVID-19. Prej tyre një person ka vdekur si dhe një tjetër është shëruar. Ndërkohë, në Fushë-Kosovë janë tri raste të paraqitura.
Ndërkaq, Obiliqi, Klina, Prizreni, Theranda, Ferizaj, Lipjani, Shtimja, Peja e Kamenica janë qytetet e tjera të Kosovës, të cilat tashmë zyrtarisht e kanë nga një rast të konfirmuar me koronavirus.