170 eurot e Pakos Emergjente nuk pritet të dalin as këtë javë
Ligji për buxhetin e rishikuar, i cili u miratua të enjten në Kuvendin e Kosovës, ende nuk është proceduar në Zyrën e Presidentit për dekretim.
Zyrtarë të Kuvendit të Kosovës kanë thënë se ligji është në fazën e inkorporimit dhe harmonizimit të amendamenteve dhe se pas përfundimit të këtij procesi, ai do të procedohet në Zyrën e Presidentit.
“Ligji është në fazën e inkorporimit dhe harmonizimit të amendamenteve, të miratuara në seancë. Pas përfundimit të këtij procesi, ligji do të procedohet në Zyrën e Presidentit”, thuhet në përgjigjen nga Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami javën e kaluar kishte deklaruar se në momentin që presidenti Thaçi ta dekretojë ligjin dhe të shpallet në gazetën zyrtare, do të fillojë ekzekutimi i pagesave nga Pakoja Emergjente.
Bajrami tha se për shkak të situatës emergjente, do të kërkojnë nga Zyra e Presidentit që ligji të ratifikohet me një afat sa më të shkurt.
Afati i publikimit në Gazetën Zyrtare është tetë ditë pune. Kështu që në këtë javë pritet të ketë zbatim të masave ose paga 170 euro për punëtorët.
Edhe zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka treguar se kur do të ndahen paratë e pakos emergjente.
Ai ka treguar se kjo procedurë mund të nis gjatë kësaj jave, gjithmonë nëse presidenti Thaçi do ta dekretojë ligjin sa më shpejtë.
“Duhet me prit që ligji të hyjë në fuqi. Kuvendi e ka miratuar dhe tani shpresojmë që për shkak të situatës, ta them emergjente, presidenti nuk do t’i shfrytëzojë tetë ditët që i ka në dispozicion, por do ta dekretojë ligjin në shpejtësi dhe në momentin që dekretohet ligji, prej të hënës të fillohet me implementimin e pakos emergjente”.
Krasniqi tregoi edhe se për këtë proces ekzistojnë listat, të cilat, siç theksoi, pothuajse janë pastruar dhe kontrolluar nga komisioni përkatës.