Naftëtarët vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Autoritetit të Konkurrencës
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës e ka kundërshtuar vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për shqiptimin e masave ndëshkuese administrative ndaj 14 kompanive të derivateve të naftës.
Kjo shoqatë e ka cilësuar vendimin e AKK-së si arbitrar.
Kryetari i shoqatës, Fadil Berjani, tha se nuk ka pasur kurdisje të çmimit mes naftëtarëve.
“E kundërshtojmë fuqishëm këtë deklarate. Nuk ka pasur marrëveshje për çmimin e naftës”, u shpreh ai.
Avokati Ariant Koci, si përfaqësues i HIB Petrolit, tha se vendimi i Autoritetit të Konkurrencës nuk ka bazë ligjore.
“Dokumenti ka mungesë të theksuar të provave. Vendimi është i përpiluar pa asnjë bazë ligjore. Nuk ndodh në vendime të futën përshëndetje. HIB-i nuk ka pasur fitim 124 %. Nuk kemi asnjë rast. Do të kërkojmë mbrojtje ligjore. Jam i bindur se ky vendim do të anulohet”, tha Koci.
HIB Petrol reagon ndaj AKK-së: Po na ndëshkoni në kohë krize, pa fakte
Përfaqësuesi i SHELL tha se do ta apelojnë këtë vendim.
“Autoriteti e ka marrë këtë vendim. Ka bërë shkelje të rëndë. Autoriteti ka dalë qesharak. Me ju drejtu Kuvendit të Kosovës sepse vetëm këtij institucioni anëtarët e autoritetit i dhënë përgjegjësi. Do ta apelojmë këtë vendim”, u shpreh përfaqësuesi i SHELL.
Përfaqësuesi i Alfa Trade po ashtu deklaroi se do ta kontestojnë këtë vendim.
“Vendimi është jashtë normales. Përmes mjeteve juridike do ta kontestojmë këtë vendim”, theksoi ai.
Bislimi Muqaj, përfaqësues i kompanisë Labi Oil, u ankua për dëmtim të imazhit.
“Na e kanë dëmtuar imazhin. Dua të them se 14 kompanitë nuk kalojnë mbi 200 pika karburantit. Në asnjë rrethanë nuk qëndron kjo se kemi dëmtuar klientët. Jam i bindur nga ato 4 milionë që do t’i marrë do t’i humb në gjykata”, theksoi ai.
Edhe Avni Haliti i Alba Petrol bëri të ditur se do të kërkojnë anulimin e këtij vendimi.
“E kundërshtojmë vendimin. Do t’i ndjekim të gjitha rrugët për ta kundërshtuar këtë vendim”, tregoi ai.
Prestreshi për gjobën 4 milionëshe ndaj naftarëve – shihemi në gjykata