138 mijë gjoba të shqiptuara për qytetarët nga Policia e Kosovës prej fuqizimit të Ligjit Anticovid
Më 7 gusht të vitit të kaluar, me 76 vota pro ka kaluar ligji Anti Covid. Sipas këtij ligji janë 6 masa të përgjithshme që e pengojnë përhapjen e koronavirusit.
“Sigurimi i ujit të pijshëm higjienik; mbrojtja sanitare e burimeve, objekteve dhe rrjetit shpërndarës për furnizim publik me ujë të pijshëm; dezinfektimi; mbajtja e maskës; mbajtja e distancës; higjiena personale, pastrimi dhe dezinfektimi i duarve.”, janë gjashtë masat e përgjithshme sipas nenit të 11-të.
E për shkak të këtij ligji,e sidomos masës për mbajtje të maskës, janë dënuar shumë qytetarë. Dënimi më i vogël është 35 euro, i cili shqiptohet nëse në vende publike qytetarët nuk e kanë vendosur maskën. Ndërsa dënimi më i madh është 500 euro, i cili shqiptohet në raste kur personi i infektuar nuk do të karantinohet ose e thyen karantinën.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës se sa gjoba janë shqiptuar qysh prej miratimit të ligjit Anticovid.
Nga Policia e Kosovës kanë thënë që deri dje janë shqiptuar 138 mijë gjoba për shkelje të ligjit antiCOVID.
“Deri më datë 24.02.2021 – Gjithsejt gjoba të shqiptuar 138000.”, kanë thënë shkurt nga PK-ja.
FaktePlus ka kërkuar edhe detaje rreth pagimit të këtyre gjobave, mirëpo Policia e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje.
Ndërsa këtë ligj, nuk e respektuan as partitë politike, por nuk pati ndonjë dënim ose shpërndarje të tubimeve nga Policia e Kosovës. Për partitë politike, dënime shqiptuan vetëm drejtoritë komunale inspekcionit.
Më 13 mars, bëhen 1 vit prej rezultateve të para pozitive me COVID-19, ndërsa momentalisht 6.968 raste aktive.