103 vjet nga vdekja e Dedë Gjo Lulit
Sot, përkujtohet Heroi i Popullit, Dedë Gjo Luli (1840-1915).
Dedë Gjo Luli u dallua në luftën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Hotit e të Grudës, që në bazë të vendimeve të Kongresit të Berlinit duhej t’i dorëzoheshin Malit të Zi.
Aftësitë e tij si organizator dhe prijës luftarak u shfaqën sidomos gjatë Kryengritjes kundër osmane të vitit 1911. Në bashkëpunim me qarqet atdhetare parashtroi Memorandumin e Greçës, kërkesën për autonominë territoriale-administrative të mbarë Shqipërisë.
Edhe pas shpalljes së Pavarësisë, për shkak të gjendjes së krijuar nga luftërat ballkanike dhe nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Dedë Gjo Luli vazhdoi luftën për mbrojtjen e vendit dhe bashkimin kombëtar.
Më 24 Shtator 1915 forcat serbo-malazeze e vranë në Sheshëz afër Oroshit (Mirditë).