100 mijë vaksina kundër gripit sezonal mbërrijnë nesër në Kosovë
Tash kur veçse po hyjmë në stinën e dimrit dhe po ulen temperaturat, edhe infeksione virale të tilla, si ftohjet apo gripi sezonal, fillojnë përhapjen e tyre. Vetëm dy muajt e fundit sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës janë raportuar afro 10 mijë raste të dyshimta në grip, 1504 raste me infeksione respiratore akute dhe 9 raste me infeksion të rëndë respirator akut (SARI).
E krahas terapive të ndryshme që përdoren për parandalim, rëndësia e vaksinimit për të krijuar antitrupa që luftojnë gripin sezonal, mbetet e madhe. Megjithatë, kohëve të fundit është vërejtur mungesë e tyre nëpër qendra të vaksinimit.
Por, sipas IKSHP-së, ky problem do të zgjidhet shpejt, madje prej nesër.
Këtë e ka konfirmuar zyrtarja për informim në këtë institucion, Era Pireva.
“Vaksinat nesër do të vijnë në IKSHP. Prej javës tjetër kanë me u shpërnda vaksinat e reja për mbrojtjen nga gripi”, tha ajo shkurt për FaktePlus.
Në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë, bëhet e ditur se janë porositur 100 mijë vaksina në funksion të parandalimit të këtij gripi, të cilat do të sigurohen përmes shërbimeve të prokurimit të UNICEF-it. Ato do të kushtojnë 444 mijë e 170 euro.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dëshirojnë të rikujtojnë dhe informojnë qytetarët e Kosovës se, në funksion të parandalimit të gripit sezonal, MSh i ka porosituar rreth 100 000 vaksina kundër gripit (prej tyre 500 doza pediatrike), të cilat janë porositur përmes shërbimeve të prokurimit të UNICEF-it. Këto vaksina të blera nga MSh-ja dhe që kanë kushtuar 444.170 euro do t’i shpërndahen popullatës përmes IKSHKP-së dhe Njësive të vaksinimit në QKMF-të e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje aty thuhej se këto vaksina do të jenë katër shtamëshe, që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj virusëve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal dhe se janë të dedikuara për për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike.
Ndërsa, IKSHP-ja mbrëmë njoftoi se prej 1 tetorit deri më 4 dhjetor, në këtë institucion janë raportuar 9545 raste të dyshimta në Grip, 1504 raste të infeksioneve respiratore akute dhe 9 raste me infeksion të rëndë respirator akut.
Tutje bëhej e ditur se janë testuar gjithsej 25 mostra të dyshimta në Grip ndërsa Qendrën Kombëtare të Gripit- IKSHPK më 4 dhjetor 2019 janë izoluar edhe dy rastet e para të Gripit tipi A. Ata është raportuar se janë në gjendje të mirë shëndetësore e se njëri prej tyre ka edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Prej tyre është rekomanduar që të vaksinohen të gjithë personat e moshuar mbi 65 vjet dhe personat me sëmundje kronike në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare, të reduktohet numri i vizitave të familjarëve tek personat të hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale), të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz,
Për ata që kanë shenja të gripit është rekomanduar të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore, të mbajnë distancë të paktën 1 metër prej njerezve, të mbulojnë hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës apo teshtitjes, të shmangin prekjen e syve hundës apo gojës me duar të papastruara, të mos shkojnë në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por të qëndrojnë në shtëpi, të shmangin përqafimin, puthjen dhe shtrëngimin e duarve kur përshëndeten, të hedhin faculetën në vendin e duhur menjëherë pas përdorimit, të pastrojnë rregullisht duart me ujë dhe sapun dhe dezinfektojnë mjediset ku qëndrojnë e të ushqehen shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina dhe të bëjnë aktivitet fizik./FaktePlus