10 mijë euro shtesë për naftë për dy vjet, Arben Gashi i LDK-së: As nuk e dija që na takonin
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar pasi u tha se për dy vjet kishte shpenzuar mbi 10 mijë euro para të shtetit për udhëtim.
Gashi përmes një postimi në Facebook tha se në mandatin e tij të parë si deputet ka jetuar në Pejë.
Gashi thotë se atë kohë s’e kishte ditur se po i mbuloheshin shpenzimet e udhëtimit. Ai tha se në mandatin e tij të dytë e ka njoftuar Kuvendin se po jetonte në Prishtinë
“Mirëpo, nga mandati im i dytë e tutje unë jetoj në Prishtinë. Dhe nga dita ime e parë e mandatit tim të dytë, e kam njoftuar Sekretariatin e Kuvendit të Kosovës që tash e tutje jetoj në kryeqytet dhe se normalisht lirohem nga pagesa e udhëtimit”, ka shtuar ai.
Ai tha se me vullnet dhe pa presion të opinionit publik, nuk merr para për shpenzimet e udhëtimit që para 10 vjetësh.
“Për të qenë edhe më konkret; me vetëdije e ndërgjegje të pastër, në harmoni me normat e etikes, me vullnetin tim të lirë dhe pa presionin e opinionit publik, unë kam njoftuar e kërkuar, si dhe jam liruar nga pagesa e shpenzimeve të udhëtimit që nga dita ime e parë e mandatit tim të dytë – para 10 vitesh, apo që nga koha që unë jetoj në Prishtinë”, ka shkruar Gashi.