1 vit pandemi: Më shumë se 147 mijë gjoba të shqiptuara për thyerje të Ligjit antiCOVID
Më 13 mars 2020 u paraqitën dy rastet e reja me COVID-19 në Kosovë. Njëri rast ishte një 77 vjeçar nga fshati Stubëll i Vitisë dhe tjetri një shtetase italiane.
Pas publikimit të lajmit se virusi i famshëm preku edhe Kosovën, qeveria e atëhershme shpalli mbylljen totale të vendit.
E pa ligj antiCOVID, shteti i Kosovës qëndroi gati 6 muaj. Shkak për këtë vonesë ishte mungesa e kompromisit ndërmjet partive opozitare dhe atyre në pushtet.
Më 7 gusht u miratua Ligji antiCOVID, për thyerjen e të cilit dënimet më të shpeshta ishin ato për mos mbajtjen e maskës.
Sipas këtij ligji, nëse qytetarët shihen pa maskë në vende publike, dënohen me 35 euro gjobë.
Policia e Kosovës në një përgjigje për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka treguar se sa gjoba janë shqiptuar për mosrespektimin e Ligjit antiCOVID.
Nga PK-ja kanë thënë që prej 28 gushtit janë shqiptuar 147 mijë e 239 gjoba bazuar në Ligjin antiCOVID.
“Lidhur me interesimin tuaj po ua ofrojmë të dhënat që na përkasin ne si institucion: nga 26.08.2020, bazuar ne Ligjin AntiCovid 19, policia ka shqiptuar 147 239 gjoba bazuar në këtë ligj.”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
FaktePlus ka kërkuar edhe detaje rreth pagimit të këtyre gjobave, mirëpo Policia e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje.
Ndërsa këtë ligj, nuk e respektuan as partitë politike gjatë fushatës politike, por nuk pati ndonjë dënim ose shpërndarje të tubimeve nga Policia e Kosovës. Për partitë politike, dënime shqiptuan vetëm drejtoritë komunale të inspekcionit.