Dy të panjohurat e tenderit me qumësht
Komuna e Prishtinës tashmë ka njoftuar për anulimin e tenderit për furnizim me qumësht për nxënësit e shkollave – niveli i ulët nga klasa e parë deri në të pestën, me arsyetimin se çmimi i ofruar nga ofertuesi i vetëm ka tejkaluar shumën e planifikuar nga komuna.
FaktePlus ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Prishtinës për t’u informuar se cila ka qenë kompania e vetme që ka ofertuar me çmim më të lartë, e që ka quar në anulimin e tenderit. Por, edhe përkundër disa insistimeve, komuna nuk ka pranuar të përgjigjet.
Megjithëkëtë, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë për media se nuk ka qenë kompania Devolli, por nuk ka treguar se cila ka qenë.
FaktePlus ka dërguar pyetje edhe në “Devolli Group” SH.P.K për të mësuar arsyet se pse kjo kompani nuk ka garuar për këtë tender si rëndom. Por, kjo kompani nuk ka dashur të përgjigjet.
Pas anulimit të tenderit, Ahmeti i kthehet Devollit
Pas anulimit të tenderit, Komuna e Prishtinës është duke e shqyrtuar mundësinë që të negociojë kontratën me kompaninë Devolli, për të arritur te çmimi 20 centë për një paketim qumësht, pasi oferta kishte çmim prej 25 centëve.
Këtë, për KTV-në e ka konfirmuar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas vendimit që të anulohet tenderi i sivjetmë për furnizim me qumësht për nxënësit e shkollave fillore, shkaku i çmimit të lartë.
Madje kryetari Ahmeti beson se e di shkakun pse kjo kompani nuk konkurroi më.
“Mospjesëmarrja e kësaj kompanie mund të ketë ardhur edhe si pasojë e sulmeve ndaj saj dhe komunës”, ka thënë Ahmeti, duke aluduar në kritikat dhe kallëzimin penal që ka bërë Lëvizja Vetëvendosje.
Megjithëkëtë, dyshime për keqpërdorime në tenderin e qumështit për fëmijët, Lëvizja Vetëvendosje i ka paraqitur me 4 janar në një konferencë për media, ndërsa kallëzimini penal është bërë pas katër ditëve.
Afati për dorëzimin e ofertave ka qenë më i shkurtër se zakonisht dhe për këtë Komuna e Prishtinës ka pasur një arsyetim.
“Pasi që afati kontratës ekzistuese është gati për të skaduar është paraqitur nevoja e shkurtimit të afatit”, thuhet në dosjen e tenderit, respektivisht në nenin IV tek pika 3.3 në dosjen e tenderit.
Dyshimet e Vetëvendosjes
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë po dyshon që anulimi i tenderit të fundit mund të ketë qenë kurdisje nga ana e Komunës së Prishtinës.
“Fillimisht është për t’u habitur fakti se Komuna këtë vit ka shpallur tenderin vetëm për 6 muaj, duke e bërë më të pa leverdishëm interesimin e ndonjë kompanie tjetër përveç asaj që e ka përfituar tenderin deri vitin e kaluar, që të investojë në makineri për këtë linjë prodhimi. Me këtë rast komuna ka favorizuar kompanitë që kanë fituar deri më tani tenderin e njëjtë viteve të kaluara. Çdo ditë e më shumë që po kalon, kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti po e ka të vështirë të arsyetojë edhe para publikut e do ta ketë vështirë të arsyetohet edhe para prokurorit për dallimin 530 mijë eurosh në vlerën e parashikuar të tenderit për vitin 2018. Ky anulim sigurisht vjen pas gjithë vëmendjes publike që fitoi kjo çështje dhe pas kallëzimit penal që kemi dorëzuar në prokurori”, konsideron Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.
Komuna e Prishtinës ka pasur dy kontrata për furnizim me qumësht të nxënësve të klasave I-V. E para ishte lidhur në vitin 2015 dhe ka qenë kontratë kornizë për disa vite. Sipas kësaj kontrate, një pako qumësht është blerë 10 centë. Dhe kontrata e dytë, të cilës i ka skaduar validetiti para disa jave ishte lidhur në vitin e kaluar, dhe një pako qumësht është blerë 20 centë.
Për dallimin e madh të çmimit të qumështit nga kontrata e parë me kontratën e dytë që ka skaduar para pakë ditëve, aktivistë të Qendrës së Vetëvendosje nga Prishtina kanë dorëzuar kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për lidhje të kontratës së dëmshme.
Ky kallëzim penal i dorëzuar në Prokurori nga Vetëvendosje ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime në vlerë prej 530 mijë eurove në tenderët për furnizim me qumësht nga ana e Komunës së Prishtinës.
“Kjo pasi që në vitin 2017 tenderin për furnizim me qumësht e ka fituar Devolli, në vlerë prej 200 mijë eurove, ndërsa vitin 2018 me të njëjtat kushte dhe me të njëjtin afat kohor e ka fituar kompania “ABRAZEN”, në vlerë prej 733 mijë eurove. Pra vlera e keqpërdorimeve është mbi 500 mijë euro, dhe pronar të vërtetë të dy kompanive janë vëllezërit Devolli. Pasi që në kompaninë “ABRAZEN” figurojnë disa persona të autorizuar dhe anëtarë të punësuar të kompanisë Devolli Group, njëri nga ta Ernest Isufi, i cili figuron drejtor në Devolli Group”, kanë thënë aktivistë të Vetëvendosjes.
Kryetari Ahmeti, sikurse kompania “Devolli” çmimin e lirë prej 10 centë një pako e kanë arsyetuar duke thënë se ka qenë promovues – reklamues.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Prishtinë ka kërkuar që të hetohet urgjentisht tenderi i dytë i qumështit.
Ndërkohë, Prokuroria ka konfirmuar se e ka pranuar një lëndë të tillë dhe se për të e ka caktuar një prokuror. /M.B-FaktePlus