Qendra “Gjenocidi në Kosovë-plagë e hapur”: Krimi i gjenocidit nuk amnistohet kurrë
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur” ka reaguar ndaj deklarimeve të disa personaliteteve publike me qëllim të njollosjes së luftës së pastër çlirimtare dhe për të amnistuar kryerësit e gjenocidit të Serbisë gjatë luftës në Kosovë, duke thënë se ato kanë për qëllim shfajësimin e shtetit serb.
Me rastin e Ditës ndërkombëtare të të pagjeturve, Qendra “Gjenocidi në Kosovë-plagë e hapur” me seli në Gjenevë, përkujton se gjenocidi në Kosovë vazhdon të jetë një plagë e hapur që kërkon trajtim të drejtë, teksa mohimi i tij paraqet fyerje ndaj viktimave, familjarëve të tyre dhe kombit ndaj të cilit është kryer gjenocidi.
“Në ditën kur populli shqiptar përkujtojnë Masakrën e Mejes si njërin nga krimet më të tmerrshme të gjenocidit në Kosovë, me keqardhje të madhe konstatojmë se edhe pas dy dekadash nga koha kur në Kosovë shteti serb kreu gjenocid, drejtësia nuk ka ngadhënjyer. Mbi 10 mijë familje të 1.392 fëmijëve të vrarë, të 1.739 grave të vrara dhe të mijëra civilëve të tjerë të të gjitha moshave që u vranë gjatë luftës në Kosovë, presin drejtësi. Mbi 20 mijë gra shqiptare ndaj të cilave u përdor dhunua seksuale presin drejtësi, ndërkaq Serbia vazhdon të mohojë kryerjen e këtij gjenocidi”, thuhet në reagim.
Duke përkujtuar se edhe pas 20 vjet pas përfundimit të luftës nuk dihet për fatin e mbi 1.600 personave të pagjetur, Qendra “Gjenocidi në Kosovë-plagë e hapur” kërkon që autorët e krimeve serbe të mos amnistohen, pasi që mohimi i gjenocidit minon ndërtimin e paqes dhe se vetëm pranimi dhe dënimi i gjenocidit në Kosovë ndihmon në shërimin e plagëve të hapura dhe që të mos ketë kurrë më gjenocid.
“Deklaratat që njollosin luftën çlirimtare të Kosovës dhe ato që kërkojnë të amnistohen kriminelët që kryen gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës kanë të njëjtin qëllim: të shfajësojnë Serbinë. Ballkani Perëndimor ka nevojë për paqe, por e ardhmja paqësore nuk mund të ndërtohet mbi gënjeshtra dhe mohim të krimeve”, përfundon komunikata.