Nënshkruhet marrëveshja e re e kyçjes KOSTT/ENTSO-E
Pas votimit të suksesshëm në prill nga ana e Grupit Regjional të Evropës Kontinentale (RGCE), sot kryeshefi ekzekutiv i KOSTT Ilir M.Shala nënshkroi marrëveshjen e re të kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E.
Me fillimin e implementimit të marrëveshjes së re të kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, KOSTT do të operojë si zonë rregulluese e pavarur brenda Bllokut AK me Republikën e Shqipërisë, në kuadër të zonës sinkrone të Evropës Kontinentale.
Marrëveshja e re e kyçjes KOSTT/ENTSO-E pritet të fillojë së zbatuari në vjeshtë pas përfundimit të përgatitjeve teknike të Operatorëve të Sistemit Transmetues të Evropës Kontinentale dhe Koordinatorit Swissgrid (Operatori i Sistemit Transmetus të Zvicrës), derisa KOSTT tashmë ka realizuar të gjitha përgatitjet teknike operative për fillimin e operimit të pavarur.
Marrëveshja e re e kyçjes KOSTT/ENTSO-E përfshinë:
– Freskimin e Katalogut të masave, sipas rekomandimeve të Grupit të Projektit për KOSTT-in;
-Zëvendësimin e të gjitha referencave të doracakut të Operimit të Marrëveshjes Shumëpalëshe me referencat e SAFA (Marrëveshja Kornizë e Zonës Sinkrone);
-Që kompania Elektrosever, të aplikojë në ZRRE dhe të licencohet brenda 30 ditëve sipas kornizës ligjore dhe rregullative të Kosovës, për të furnizuar me energji elektrike konsumatorët në pjesën veriore të Kosovës.
Ndërkaq përfitimet nga operacionalizimi i Marrëveshjes janë të mëdha:
-Inkasimi i të hyrave nga shfrytëzimi i rrjetit transmetues interkonektiv apo alokimi i kapaciteteve dhe menaxhimi i kongjestioneve, që kap vlerën në mesatare vjetore 4 – 8 milionë euro dhe nga transiti rreth 0.5 – 1.0 milion euro;
– Lëshimi në operim të plotë i linjës interkonektive 400 kV, Kosovë – Shqipëri;
-Implementimi i plotë i Marrëveshjes së Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri, nënshkruar në Tiranë, më 26.11.2019;
– Bashkimi i tregjeve elektroenergjetike me Shqipërinë si dhe
– Pjesëmarrja me aksione në Bursën Shqiptare të energjisë elektrike (APEX)
Ndryshe, ky është hapi i parë i cili e afron KOSTT-in drejt anëtarësimit në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit, si objektivë strategjike e kompanisë.