Futbollistët e Premierligës detyrohen t’i paguajnë vetë agjentët e tyre
Futbollistët më të famshëm të Premierligës mund të detyrohen t’i paguajnë vetë agjentët e tyre, dhe jo klubet e tyre. Nëse kjo gjë ndodh, atëherë ky do të jetë ndryshimi më radikal në punën e agjentëve në Angli.
Drejtuesit e ligës angleze do të takohen nesër dhe do të diskutojnë për këtë mundësi, kalimin e përgjegjësisë për pagat e agjentëve nga klubet te lojtarët. Ata do të vendosin edhe nëse agjentët do të detyrohen të hyjnë në provim për të vërtetuar nëse janë të kualifikuar për punën e tyre apo jo, përcjell Gazeta Express.
Përderisa kjo gjë mund t’i rritë kërkesat e lojtarëve për paga më të larta, klubet e Premierligës besojnë se një vendim i tillë do të ishte pozitiv pasi që do t’i jepte fund kërkesave absurde të agjentëve.
Përmes këtij ndryshimi, klubet angleze kërkojnë t’i japin fund diskutimeve të vazhdueshme me agjentët, të cilat i kërcënojnë me transferimin e lojtarëve të tyre vazhdimisht, për t’i rritur pagat e veta.
Sipas rekomandimit final, agjentët s’mund ta përfaqësojnë edhe lojtarin edhe klubin gjatë një transferimi. “Përfaqësimi i dyanshëm” kishte qenë i jashtëligjshëm në Itali, por FIFA e ndryshoi këtë rregull në vitin 2015. Tani raportohet se në rreth 60% të rasteve, i njëjti agjent e përfaqëson edhe klubin edhe lojtarin.