Ekonomia e Gjilanit ka humbur 788 vende të punës në kohë pandemie, pakoja financiare është urgjente
Komuna e Gjilanit ka përgatitur raportin e detajuar të dëmeve të shkaktuara në sektorin e ekonomisë gjatë përiudhës së përballjes me pandeminë globale Covid-19.
Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri, gjatë konferencës për media, ka thënë se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në mars të këtij viti, për kufizimin lëvizjes së qytetarëve, ndërprerjen e procesit mësimor në shkolla dhe universitete, ndërprerjen e pjesës dërmuese të aktiviteteve të bizneseve përfshirë mbylljen e plotë të disa prej tyre, kanë bërë që të ketë një stagnim në zhvillimin ekonomik edhe në Komunën e Gjilanit.
Tahiri ka njoftuar 69% të bizneseve pjesëmarrëse në hulumtim zhvillojnë afarizëm në qytet, 27% në fshatra dhe 4% prej tyre kanë degë të tyre jashtë territorit të Komunës.
Bizneset e anketuara sipas llojit janë 42 % biznese individuale, 38 % shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, 19 % fermerë ndërsa 1 % shoqëri aksionare.
Veprimtaritë biznesore që i janë përgjigjur hulumtimit janë: sektori i shërbimeve me 31%, tregti dhe biznese bujqësore me 19% , bizneset prodhuese me 13% , hoteliere 8%, transportuese 4%, ndërtimore 3%, shëndetësore 2% dhe edukativo-arsimore me 1%.
“Pandemia ka ndikuar në humbjen e 788 vendeve të punës. Kemi një rënie prej 23% të numrit të gjithëmbarshëm të punëtorëve tek kompanitë e anketuara, kryesisht bizneset e mëdha dhe të mesme. E njëjta situatë është deklaruar edhe nga bizneset e vogla. 46% e bizneseve kanë deklaruar rënie të nivelit të shitjes prej 90-100% dhe vetëm 1% e bizneseve të anketuara kanë deklaruar se niveli i shitjes ka qenë i njëjtë”, ka theksuar ajo.